Berisha godet Ramën: Fushatë banale dhe me fjalor të varfër
Turi i jugut të kryedemokratit Sali Berisha u ndal në Gjirokastër ku ai foli gjatë për rivalin e tij politik Edi Rama të cilin e quajti të varfër në fjalor elektoral dhe të pasur në banalitet.
“Qytetarët për të janë të shpërfillur. Ju e shifni si kalon nga takimi në takim, me një fjalor të varfër me 5 fjali, banal, të turpshëm, zorra qorre, zorra e hollë, kështu më tha gjyshja, kështu më ka thënë gjyshja, nuk kam motër se je çun i mirë, apo po votove opozitën nuk të jap para.
Shikoni logjikën e një cubi, e një njeriu që nuk asnjë lloj norme, standardi moral, jo më demokratik”.
Për Berishën, Rama ka përçmim ndaj qytetarëve dhe mungesë respekti:
“Me të gjitha këto, çfarë tregon ky, përçmimin ndaj qytetarëve. Tregon se ky nuk ka asnjë respekt për qytetarin. Përpiqet me fraza të tilla të vendosë një perde. Nuk pranon të dalë përpara, para jush”.
Këtu Berisha përmendi sërish faktin se ka kërkuar debat publik me Ramën:
“E kam ftuar me dhjetëra herë, hajde dalim në studio ose në shesh, të kthejmë xhepat, tu përgjigjemi shqiptarëve për çdo pyetje që ata kanë, por nuk del dot”, tha Berisha.
Më tej ai shpjegoi arsyet sipas tij pse Rama nuk del dot në debat:
“Nuk del dot sepse familjarët e tij, në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, kanë fituar me qindra tendera. Baxhanaku, thjeshtra etj., etj., me radhë.
Nuk del dot, se në mes të Vlorës po ndërtohet përbindëshi, kulla nga i vëllai i tij, Olsi Rama.
Nuk del dot sepse thotë unë firmos, fap, fap, fap dhe pap, pap, pap. 420 milionë euro djegësa që nuk ekzistojnë kërkund, ndërmarrja falso me të cilën po vjedh shqiptarët.
Nuk del dot se me dufet e tij të urrejtjes ndaj fjalës së lirë, mbylli televizionin dhe tani çdo shqiptar do të paguajë gjobën që i vunë Shqipërisë, 120 mln euro për Agon Channel.
Po të tilla janë një seri procesesh dhe ky borxh për ne do të shkojë në 1.6 miliardë euro.
Sa janë 1.6 miliardë euro? Janë më shumë se rrogat e dy viteve të të gjithë shqiptarëve.
Nuk del dot sepse nuk mund të justifikojë mashtrimet e tmerrshme që u ka bërë qytetarëve”, shtoi Berisha.
Fraksion.com