AktualitetPolitikëTë fundit

Zgjedhjet e 14 Majit, Berisha: Bashkitë që fiton PS as me gishtat e dy duarve nuk numërohen

Sali Berisha deklaroi sot se, “koalicioni “Bashkë Fitojmë” do të ketë fitore dërrmuese në zgjedhjet vendore të 14 majit”.

I ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion” është pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se cilat janë pritshmëritë e koalicionit “Bashkë fitojmë”  lidhur me zgjedhjet vendore të 14 Majit.

Berisha u shpreh i bindur në fitoren e koalicionit ku ai bën pjesë. Berisha tha se nëse nesër do të zhvilloheshin zgjedhjet mund të numëroheshin me gishtat e dorës bashkitë që fiton PS.

“Nëse nesër do të zhvilloheshin zgjedhjet. Mund të them që as me gishtat e të dy duarve nuk numërohen bashkitë që PS fiton. PS-ja po reduktohet në rezultatin e Partisë së Punës. Nuk ka nëse nuk do të ndodhë, kjo do të ndodhë. Unë kam ardhur këtu me të dhëna të plota ta sondazheve direkte me call center, qoftë dhe botën dixhitale.”-tha Berisha.

Berisha tha se, kryeministri Edi Rama po e ndihmon me fushatën që po zhvillon si kryetar i PS-së në kuadër të zgjedhjeve të 14 Majit.

Berisha shtoi se, fushata që ai drejton është më e zjarrta që ai ka bërë që nga viti 1992, pasi sipas tij, po dalin në mbështetje qytetarë me vullnetin e tyre të lirë.

“Ajo që mund të them është se vështrimi juaj është i gabuar. Një fushatë në njërin krah, më e zjarrta që unë kam pasur që nga 1992 deri më sot. Absolutisht më e zjarrta. Fushata që shihni ka një bazë njerëzish që kanë ardhur në bazë vullneti dhe në asnjëlloj detyrimi tjetër. Një fushatë, e cila ka një zjarr të brendshëm, e cila quhet frymë, por është absolutisht përcaktuese për fitoren, është fitore. Dhe po më ndihmon me propagandën e tij banale, vulgare, të boshatisur, por të bazuar në truke komunikimi, Edi Rama. Unë kam fakte për këto që them. Ai ka strategji që e detyron atë të mos vijë sonte ballë përballë dhe t’ja numërojmë njëri-tjetrit para shqiptarëve, jo vetëm programet tona, por edhe të gjithë jetën tonë politike, por nuk vjen dot ai këtu sepse këtu i del baxhanaku me 110 tendera, i dalin sarajet e Surrelit”, theksoi Berisha.

Berisha u shpreh i bindur se, nëse nesër do të zhvillohen zgjedhjet, bashkitë që ata nuk fitojnë, nuk numërohen as me gishtat e 2 duarve. Berisha tha se, këtë bindje të tij e bazon në sondazhe.

“Në qoftë se nesër do të zhvilloheshin zgjedhjet, unë mund të them se as me gishtat e 2 duarve, nuk numërohen bashkitë që nuk fitojmë, në qoftë se do të zhvilloheshin nesër”, tha Berisha, i cili shtoi se, “PS-ja po reduktohet në rezultatin e Partisë së Punës”.

I pyetur nëse do të marrë përgjegjësi për humbjen, Berisha u përgjigj se, “nuk mund t’i shmangem kurrë përgjegjësive. Paraqitja e kandidatëve të primareve është risia më absolute e këtyre zgjedhjeve, e them me bindjen më të thellë. Duhet të jemi realist, primaret e para mund të fillonin më në kohë, mund të jepej më shumë kohë, por nuk kishte asnjë prediksion për asnjë pjesëmarrës. Kanë marrë pjesë 200 kandidatë, janë seleksionuar. Në këto primare çdo kandidat ka marrë guximin për të dalë para qytetarëve”.

Enkelejd Alibeajn dhe Lulzim Bashën, Berisha i quajti simbolet më të shëmtuara të politikanit në 32 vite në Shqipëri.

Berisha tha se, sipas tij, Lulzim Bashën e ka marrë peng kryeministri Edi Rama me dosjen e larjes së parave, ndërsa për Enkelejd Alibeajn thotë se, është marrë peng me dosjen e të vëllait të tij.

“Alibasha dhe Lulbrava u bënë me qëndrimet e tyre simbolet më të shëmtuara të politikanit në 32 vite. Mua nuk më dëmtuan ata, por u përpoqën. PD shpëtoi prej tyre. Enkelejd Alibeaj është një vegël e shëmtuar e Edi Ramës, i marrë peng kokë e këmbë për vëllanë e tij, një kriminel i rrezikshëm. Kam thënë peng Lul Bashën dhe Enkelejd Alibeajn. Të parin me dosjen e larjes së parave, 700 mijë eurove që mund të hapet në çdo moment se aty ka bërë një hile Rama aty, njëri prokuror e ka firmosur e tjetri jo. Ky zotëria ka një kriminel të rrezikshëm që nuk e ka deklaruar dhe për të cilin nuk thotë se kush është dhe për të cilin Rama e tërheq. Janë jo një, por disa nga njerëzit të cilët për muaj të tërë nuk e mbështetën Sali Berishën, por e panë se primaret ishin procesi i lirisë, ata kandiduan dhe sot janë kandidatë për kryetar bashkie të PD dhe unë i mbështes me kënaqësi. Këta nuk i pranuan primaret. Donin të rrëzonin primaret që disa të jenë me primaret dhe të tjerë të jenë me sondazhet”, u shpreh Berisha.

 

Fraksion.com