Shtrimet në spitale në 2022 u shtuan 8% pas pandemisë: Fluksi më i lartë në kardiologji dhe psikiatri
Për vitin 2022 numri i të shtruarave në spitale u shtua 8% në raport me 2021.
Sipas të dhënave të raportit të monitorimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për vitin 2022 në total numri i të shtruarve në spitale ishte 277,881 paciaentë. Pas pandemisë së Covid-19 në 2022 ky është numri më i lartë i shtrimeve në spitale. Krahasuar me vitin 2019 shtrimet në spitale janë ulur 10,5%.
Në 2020-n shtrimet në spitale ranë për shkak të frikës nga inflektimet e Covid-19. Mjekët paralajmëruan se pas pandemisë do të ketë rritje sidomos të ndërhyrjeve kirurgjike në zemër si bypass-e, e stent-e coronare, për shkak të problemeve post Covid-19 që duhet të trajtoheshin në kohë.
Për vitin 2022 shtimi më i lartë të sëmurëve është për pacientët të trajtuar në kardiologji/kardiokirurgji dhe në spitalet psikiatrike. Shtrimet në kardiologji janë rritur 23% krahasuar me 2021. Ndërsa trajtimi i pacientëve në spitalet psikiatrike u rrit 17,5%. Mjekët psikiatër edhe me herët trendin rritës së pacientëve në këto spitale e lidhin me shtimin e përdorimit të lëndëve narkotike nga të sëmurët që lenë spitalin pas rehabilitimit.
Për 2022 gjithashtu ka një rritje të kontrolleve për depistimin e kancerit të gjirit (kontroll që shërben pwr identifikimin ose jo të tumorit). Për 2022 numri i kontrolleve u rrit 43% në raport me një vit më parë. Ndërsa trajtimi me radioterapi për sëmundjet tumorale është shtuar 8,5% krahasuar me vjet.
Mjekja Onkologe Silvana Çeliku pohoi më herët për Monitor se për shkak të frikës nga infektimet me Covid-19 në 2020-2021 shumë gra hezituan të kryenin depistimet për kancerin e gjirit dhe mitrës. Sipas saj pasojat do të ndihen në shëndet, pasi Covid-19 pengoi diagnostikimet e hershme dhe rrezikon shtimin e fataliteteve për të prekurit me lloje të ndryshme të tumoreve.
Sakaq rastet e trajtuara nga njësitë e urgjencës mjekësore në 2022 ranë 81% krahasuar me periudhën paraardhëse, ndërsa shërbimi i personave që përfitojnë Check Up u shtua 1,7 herë më shumë.
Në 8 vitet e fundit për periudhën 2014 -2022 fluksi më i lartë i shtrimeve në spitale ka qenë në vitin 2019, me 310,315 të shtruar, ndërsa numri më i ulët i shtrimeve ishte në 2014./Monitor
Fraksion.com