Rama hedh poshtë spekulimet për shtyrjen e vendimit mbi rritjen e rrogave: Pavarësisht vonesave nga Kuvendi, do të merret rritja e pagave që nga muaji prill
Kreu i ekzekutivit, Edi Rama ka sqaruar çdo spekulim lidhur me lajmet për shtyrjen e vendimit të hyrjes në fuqi të rritjes së rrogave për punonjësit e administratës. Gjatë një takimi me qytetarët e Kukësit, Rama tha se ashtu siç ka deklaruar më herët ligji për rritjen e pagave do të hyjë në fuqi dhe se rritja do të llogaritet që prej muajit prill.
Ai tha se ligji është në Kuvend nga ku duhet të miratohet dhe pavarësisht vonesave dhe datës kur ligjvënësit do ta votojnë, rritja e pagave do të përllogaritet që nga muaji prill, ashtu siç u premtua nga qeveria disa javë më parë.Kryesocialisti u shpreh se pavarësisht debatit në Kuvend ku deputetët kërkojnë që pagat e tyre të rriten para atyre të punonjësve, ligjvënësve dhe qeverisë do t’u vijë rradha të fundit për t’u rritur pagat.
“Kanë dalë tani dhe thonë e shtyu Edi Rama ngritjen e pagave. Nuk kam shtyrë gjë unë fare. E para njëherë, ne pagat e mjekëve, të mësuesve, të punonjësve të sigurisë janë rritur dhe të prillit ata i marrin tani në fillim të majit, sic ndahen e dyta unë kap patur një debat sepse për gjithë rritjen e pagave të tjera duhet të bëhet ligji në parlament. Unë kam patur një debat, për ligjin që është parlament. Qeverisë dhe deputetëve duhet t’i rriten pagat të fundit fare, dmth vitin tjetër kur të mbarojë rritja për të gjithë edhe deputeteve dhe qeverisë le ti rriten pagat dhe është bllokuar për disa javë kjo punë se duhet të më bindin mua. Ama të gjithë duhet ta dinë se edhe në rritja e pagave bëhet në maj edhe nëse rritja e pagave bëhet në qershor, të gjithë pagat do ti marrin megjithë prillin megjithë majin.”, theksoi Rama.
Në 7 prill, kryeministri, Edi Rama bëri me dije se do të kishte një rritje të pagave për punonjësit e administratës publike, duke nisur që nga specialistët më të ulët në hierarki paga e të cilëve nga 49 mijë lekë, do të rritet në 81 mijë lekë. Ai u shpreh se brenda harkut kohor të një viti, paga mesatare në vend do të shkojë 900 euro. Reforma e rritjes së pagave, do të prekë edhe sektorë të tjerë, duke nisur nga pedagogët e mësuesit, tek infermierët, zjarrfikësit, si edhe policinë e Shtetit, Burgjeve dhe punonjësit e Gardës.
Fraksion.com