Rama: Bashkia e Shkodrës ka penguar ndërtimin e dy ujësjellësave dhe rrugës Shëngjin-Velipojë
Kryeministri, Edi Rama u shpreh sot se, “është e pamundur të bashkëpunohet me kandidatët e alternativës tjetër”, ndërsa theksoi se, “bashkia e Shkodrës po pengon ndërtimin e dy ujësjellësave, si dhe të rrugës Shëngjin Velipojë”.
I ftuar në një studio televizive, Rama tha se, “kjo ndodh pasi arsyeja pse ata janë kandiduar nuk ka asnjë lidhje me komunitetin apo nevojën për të bashkëpunuar në funksion të progresit”.
“Ka disa qytete ku garat janë më të hapura se sa në qytete të tjera që qartazi janë të mbyllura dhe aty sigurisht që vështirësia jonë është më e madhe për shkaqe historike, inercie, të një ndarje shumë të thellë. Por aty ne kemi të gjitha arsyet të besojmë se, nëse kërkojmë një mandat tjetër për kryetarë bashkie, kjo bazohet në punën që kemi bërë dhe duhet të bëjmë. Nëse kjo nuk ndodh do të jetë një dëm shumë i madh për ato komunitete”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se, është e pamundur të bashkëpunohet me kandidatët e alternativës tjetër.
“Jo sepse ne nuk duam të mbështesim ato komunitete apo të realizojmë vepra në shërbim të atyre komuniteteve. Eksperienca ka treguar se bashkëpunimi ka qenë shumë i vështirë më parë ndërsa sot është i pamundur. Sepse vetë arsyeja pse ata janë kandiduar nuk ka asnjë lidhje me komunitetin apo nevojën për të bashkëpunuar në funksion të progresit, por është tërësisht politike në funksion të përshkallëzimit të luftës politike në Tiranë”, tha Rama.
Kryeministri soli në vëmendje se, “aktualisht ne kemi prej disa kohësh kompanitë që duhet të fillojnë ndërtimin e dy ujësjellësave të rëndësishëm në bashkinë e Shkodrës, por bashkia nuk jep lejet e ndërtimit”.
“Financimi është i qeverisë, projektet janë bërë nga qeveria, kontraktorët janë gati dhe bashkia nuk na jep lejet e ndërtimit për të ndërtuar ujësjellësat në dy pjesë të një zone turistike, që ne kemi bërë edhe investime të tjera. Ose rruga Shëngjin-Velipojë, një aks strategjik për zhvillimin e turizmit pengohet akoma sot prej gati 1 viti për shkak të përgatitjes së dokumentacionit të shpronësimeve. Është çliruar ana e Lezhës dhe jo e ajo e Shkodrës. Ne kemi financimin me Bankën Evropiane”, tha Rama.
E njëjta gjë sipas tij, me rrugën Shkodër-Velipojë. “Është një bllokim mendor politik e kulturor”, tha ai.
Kryeministri theksoi se, do bëhen të gjitha përpjekjet për bashkëpunim siç ka ndodhur deri tani, por duke pasur një rendiment bashkëpunimi afër zeros.
Duke folur për Shkodrën, Rama tha se, “ne kemi bërë vazhdimisht përpjekjet tona në Shkodër”.
“Unë jam menduar gjatë se çfarë mund t’i ofrojë Shkodrës që të dali nga ky qerthull dhe të kemi qasje tjetër dhe Benet Beci më është dukur njeriu i duhur sepse është një menaxher publik i mirë, i emëruar si demokrat. Kur i propozova i thashë nuk dua të bëhesh socialist, por të përfshihesh, të hysh, ta njohësh qytetin, të përgatitësh një program dhe të shohim nëse mund t’i afrojmë Shkodrës një alternativë, ku një person që vjen nga një familje me traditë, që është pa ekuivokë, një njeri i zoti nga komuniteti i demokratëve, por që ka treguar se ka të gjitha tratativat e nevojshme për të qenë bashkëpunëtori ynë, t’i vihet në dispozicion Shkodrës”, tha Rama.
Sipas tij, “zgjedhja është shumë më e ngarkuar nga pikëpamja politike dhe në rast se e zgjedhin do të drejtojmë një model horizontal ndërpartiak, ku zgjidhen më të zotët. Edhe në bashkinë e Shkodrës brenda ka njerëz të zotë”
Fraksion.com