AktualitetLife StyleTë fundit

“Si ‘avulluan’ disa tonelata ar në vitet ’80-të”: Historia e panjohur që rrënoi Shqipërinë. Justifikimi nga Thesari i Shtetit e Ramiz Alia…

Emrat e tregtarëve dhe pasanikëve të Shqipërisë që u grabitën nga regjimi komunist dhe ku shkoi sasia prej 43.816.682 e monedhave prej ari, të grumbulluara nga Sigurimi i Shtetit?!

Ka hapur një polemikë jo të vogël në vitet e tranzicionit, një artikull i botuar vite më pare, në revistën “Në shërbim të popullit” (organ i dikurshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme), nga Nuri Mehmeti, me titull “Kur hidheshin themelet ekonomike të pushtetit popullor”. Ky shkrim, është botuar në faqet 14 – 15, të numrit të gushtit 1984, në revistën në fjalë, me okelion “40 vjet çlirim, rrugë lufte e fitoresh”!  Polemikat e mëvonshme në lidhje me këtë artikull lindën pasi shifra prej 43.816.682 monedhash ari që përmendej në artikull, e grabitur nga Sigurimi i Shtetit, ishte një shifër zyrtare.

-KUSH E KA DEPOZITUAR ARIN NE PERËNDIM?!

Vlerat monetare të familjes Hoxha, sipas disa dëshmive, i ka qarkulluar në Perëndim dhe më tutje një njeri i afërt i djalit të Enver Hoxhës, Sokolit. Ky njeri quhej Shkëlzen Doçi. Ai brodhi për shumë vjet në Francë, Kanada dhe Amerikën e Jugut, për të qarkulluar dhe depozituar vlerat e thesarit shqiptar, në emër të familjes Hoxha. Në vitin 1983, Shkëlzen Doçi arrestohet së bashku me dirigjentin Gaspër Çurçia, si “falsifikator i biletave të trenit”. Shkëlzen Doçi, në gjyq nuk foli thuajse fare.

Në përfundim ai dhe Gaspër Çurçia, u dënuan me vdekje. Pikërisht, zbulimi më i madh rreth personit të Shkëlzen Doçit, do të hedhë më tepër informacion rreth vendit se ku ndodhet një pjesë jo e vogël e floririt të grabitur të shqiptar. Po ashtu, nuk janë të pakta informacionet që qarkullojnë se, për Amerikën e Jugut, një rol jo pa rëndësi ka edhe komunisti veteran, braziliani Zhoao Amazonas, njeriu që ishte i pranishëm më shumë se kushdo në kongreset e Partisë së Punës. Në Zvicër ndodhet vetëm një sasi e caktuar e arit shqiptar. Ajo me e madhja ka kapërcyer oqeanin.

-KUSH E KA KONTROLLUAR KAMBIZMIN? A MUND TE ISHTE KJO FORMA PËR TE SIGURUAR LLOGARI TE TJERA BANKARE NE PRAG TE FALIMENTIMIT TE REGJIMIT KOMUNIST

Me anë të vendimeve nr. 5, 430 dhe 84, të datave 7 janar 1988, 7 dhjetor 1988, dhe 8 mars 1989, janë transferuar jashtë shtetit për qëllime kambizmi, 4.072 dhe 13.193 kg argjend. Një shumë e tillë e justifikuar për kambizëm, është pamundur të ketë shkuar e gjitha në destinacionin që thuhet. Për skandalin në fjalë, ka shkruar më 26 qershor 1991 edhe gazeta “Rilindja Demokratike”. Sipas gazetës, specialistët e Fondit Monetar Ndërkombëtar, kishin zbuluar se, llogaritë e bilancit valutor, nuk rakordonin.

Gazeta ‘RD’, kritikonte gjithashtu heshtjen e drejtorit të Bankës së Shtetit, Niko Gjyzari dhe të drejtorit për Marrëdhënie me Jashtë, Kamber Myftari. Po në këtë artikull, bëhet fjalë se, njeriu që është marrë me “kambizmin”, është Dhimitër Gazhda, i cili sipas gazetës, kishte dy muaj që jetonte në Greqi. Humbjet që kishte pasur shteti shqiptar, në një rast të tillë, sipas gazetës, ishin rreth 200 milion dollarë.

Padyshim që i ashtuquajturi “kambizëm”, në prag të kapitullimit të regjimit komunist, nuk ka qenë gjë tjetër veçse, maskim i kalimit të llogarive, në favor të udhëheqësve të lartë komuniste. Me anë të një shkrese sekret, të datës 6 tetor 1987, ministri i Financave, Andra Nako, njofton Ramiz Alinë dhe Adil Çarçanin, sa më poshtë: “Njoftimi mbi llogarinë bankare 01 më 30 shtator 1987, arriti rreth 17 milionë dollarë. Gjatë tremujorit të 4-t të vitit 1987, parashikohen në këtë llogari edhe shumat që vijojnë:

-Nga interesat bankare, për llogaritë në valutë që mbahen pranë bankave të huaja – 200 mijë dollarë.

-Nga shkëmbimet valutore, duke shfrytëzuar konjukturat, parashikimi është për 5 milionë dollarë, por do të përdoren rreth 1.4 milion dollar, për blerje të ndryshme sipas vendimit të Këshillit të Ministrave …. 3.6 milion dollarë.

-Nga shoqëritë komisionere 400 mijë dollarë”.

Nga shikimi i gjithë procesit të “kambizmit”, vërehet se autoritetet komuniste, kanë dashur të humbin me dëshirë. Edhe e ashtuquajtura “humbje”, nuk është gjë tjetër veçse, forma më ideale për të justifikuar depozitimin e një sasie të caktuar ari. Nga ana tjetër sipas një dëshmie që ka dalë edhe në shtyp 11 vjet më parë, Banka e Shtetit Shqiptar për periudhën 1983 – 1987 ka porositur 396 copë arka që shërbejnë për transportimin e arit. Nga këto vetëm në vitin 1983 janë porositur 196 copë, ndërsa pjesa tjetër në vitin 1987. Kjo sasi arkash sipas specialistëve mund të shërbente vetëm për një sasi prej 180 ton ar.

-TE HETOHEN EDHE INVESTIMET NE NDËRMARRJET ME HUMBJE NE FUND TE VITEVE ‘80-TE

Një tjetër formë e përdorur për kalimin e sasive të arit, ose e të ardhurave valutore në Perëndim, është ajo e përdorur në fund të viteve ‘80-të, nëpërmjet firmave të ashtuquajtura “Perëndimore”, në uzina apo kombinate, që tradicionalisht kishin dalë me humbje. Një investimi tillë, është vënë re edhe Kombinatin Metalurgjik “Çeliku i Partisë” në Elbasan, në vitin 1990, ku në Uzinën 12 dhe atë të Nikel – Kobaltit, janë “investuar” 40 milionë dollar, në bashkëpunim me një firmë gjermane fantazmë, krejtësisht të panjohur, si ajo “Salsiger”. Ky skandal, është denoncuar qysh më 11 maj 1991, në sallën e Kuvendit të Shqipërisë nga deputeti i Elbasanit, Argjir Panariti, (shih për këtë “Punime të Kuvendit, viti 1991”, nr 1, faqe 529).

Një shumë e tillë marramendëse, nuk mund të jetë kurrsesi e investuar, në një shifër të tillë. Firma në fjalë, duke qenë anonime në këtë fushë, si duket ka luajtura rolin e pastruesit të parasë. Këtu ia vlen të thuhet se, dhe një firmë tjetër anonime, si ajo “Rukert”, në periudhën në fjalë, është marrë me kambizëm dhe ka konvertuar një shumë prej 45 mijë dollarësh, në dojçmarka. Nuk dihet a mund të ketë apo jo, një lidhje midis shumës së “investuar”, në Metalurgjik, me shumën e përdorur nga firma “Rukert”, për llogari të udhëheqjes komuniste.

Po ashtu, mund të kujtojmë se, një firmë e njohur për lidhjet e saj të ngushta me ‘klanin Hoxha’, ishte edhe ajo që drejtohej nga Hajdin Sejdia, me emrin “Iliria Holding”. Sigurisht jashtë vëmendjes, nuk duhet lënë as borxhi i jashtëm që krijuan komunistët (në kundërshtim me kushtetutën e tyre), në fund të viteve ‘80-të dhe që arriti në rreth 500 milion dollarë.

-KU KA SHKUAR ARI I RUBIKUT…?!

Përveç grabitjes masive së arit tek qytetarët shqiptarë, një grabitje e përmasave të padukshme, është edhe ajo e ndodhur në Uzinën e Rubikut, ku prodhohej një sasi jo e vogël ari. Ndërsa në Tiranë, funksiononte një sektor i posaçëm i pranimit të arit të Rubikut, që në një kohë të konsiderueshme dhe delikate, drejtohej nga Reshat Alia, që ishte xhaxhai i Ramiz Alisë dhe babai i Teuta Hoxhës, që ishte gruaja e djalit të madh të Enver Hoxhës, Ilirit.

Në mungesën e plotë të çdo lloj transparence, vit pas viti, është arritur të përfitohet një sasi e madhe ari në Rubik, në një kohë që Thesari i Shtetit, ka përfituar një sasi krejt të papërfillshme të tij. Ish-ministri i Financave, Andrea Nako, me anë të një njoftimi sekret, të datës 9 tetor 1987, njoftonte kryeministrin, se: nga prodhimi i Rubikut, sigurohen rreth 120 – 130 kg. ar në vit. Për vitet 1968 – 1990, duke marrë si prodhim minimal shifrën e 120 kilogramëve në vit, janë siguruar rreth 2.640 kg ar.

Ndërsa sipas dokumenteve shtetërore, figuron që të jenë dorëzuar në Thesar, vetëm 1.777 kg ar. Diferenca midis dy sasive, është 873 kg ar. Mirëpo, këtu duhet të kemi parasysh se, për të tillë sektorë, komunistët kishin një mobilizim të paparë, që nuk njihte as turne, e as gjë tjetër. Kjo të çon në përfundimin që; sasia e arit të Rubikut, mund të jetë edhe më e madhe.

-HAPIN E PARE E HODHI KOMISIONI I PERKOHSHEM PARLAMENTAR I VITIT 1992

Pas shumë shkrimeve në shtypin e opozitës, në vitin 1991, u pa e rëndësishme, që ky proces të shkonte më tej. Për të verifikuar Thesarit e Shtetit, nga vitit 1938 – 1990, si dhe procesin e sekuestrimeve në vitet e para të regjimit komunist, në fund të vitit 1991, me nismën e Partisë Demokratike, u ngrit një komision i përkohshëm parlamentar, i cili kishte këtë përbërje:

1-Blerim Çela, PD – deputet i Shkodrës (kryetar i komisionit)

2-Gëzim Luli, PD – deputet i Shkodrës

3-Behadin Bakalli, PD – deputet i Shkodrës

4-Vehbi Gruda, PD – deputet i Shkodrës

5-Teodor Keko, PD – deputet i Tiranës

6-Qemal Disha, PS – deputet i Matit

7-Sami Kushta, PS – deputet i Librazhdit

8-Shkëlqim Cani, PS – deputet i Ersekës

9-Thoma Miço, “Omonia” – deputet i Sarandës

Pas një pune jo të vogël, deputeti Blerim Çela, lexoi më 22 janar 1992, raportin në emër të komisionit. Pas një argumentimi të hollësishëm, deputeti Çela, në emër të komisionit parashtroi këto përfundime:

“1-Në Shqipëri, ka pasur disa dhjetëra tonelata ar në qarkullim dhe të thesarizuara nga popullata, para datës 28 nëntor 1944.

2-Ish – Mbreti Zog, ka marrë me firmë, 183 kg. ar, si të ardhura personale të Oborrit Mbretëror, nga diferencat e këmbimeve valutore me doganat.

3-Ministria e Punëve të Brendshme, ka sekuestruar forcërisht sipas ligjeve të Luftës, arin e popullit, por pa mbajtur dokumentacion të dyanshëm në momentin e sekuestrimit. Këto sasira, janë mbajtur një herë në Degët e Punëve të Brendshme, pastaj në Ministrinë e Punëve të Brendshme, e më pas janë dorëzuar në Thesar, siç argumentuam më lart dhe shtojmë se, këto diferenca, tregojnë vetëm majën e ajsbergut, sepse ngelen mbi 650 persona të paidentifikuar, që kanë dorëzuar ar, të cilit nuk i është bërë hyrje në Thesar.

4-Në dokumentet e Ministrisë së Punëve të Brendshme (“Historiku i Armës së Policisë”), pohohet me shkrim se; janë sekuestruar 43.816.682 monedha të arta, pa futur shufrat dhe bizhutë e arta. Vetëm ato, bëjnë 283 ton flori. Në fakt, në Thesar, janë futur nga sekuestrimet, vetëm 3.029 kg ar….! Mungojnë 280 ton ar.

5-Gjatë kohës së diktaturës komuniste, janë bërë dalje 7.600 kg ar. Kjo, sipas të dhënave të marra nga drejtori i Thesarit të shtetit…dhe janë përdorur për të blerë grurë, 224 kg; janë përdorur për dikasteret e ndryshme, 37 kg; janë humbur në kambizëm 4.072 kg; janë dhënë për Tregtinë e Jashtme, 3.200 kg. për blerje mallrash.

Asnjë përgjegjësi, nuk është mbajtur për humbjet në kambizëm, për 4 ton ar, me vlerë 60 milion dollarë. Thesari i Shtetit, është i shenjtë, me të nuk mund të luhet, ndryshe, kushdo që e prek, duhet të përgjigjet me kokë. Se si është përdorur 3.200 kg. ar, për blerje mallrash, kjo kërkon një kontroll të dytë, nga organe të specializuara me autorizim të parlamentit.

6-Duhet të ngrihen grupe hetuesish, me specialistë të aftë, për të nxjerrë se ku shkon ari në sasi prej 280 ton, duke ballafaquar fat keqët e grabitur me grabitësit e veshur me rrobën e shtetit……!

7-Duhet bërë kontroll, në Uzinën e Rubikut, me mandat parlamentar e të qeverisë, për të kontrolluar sasinë e arit të prodhuar, në se përputhet me atë të futur në thesar.

8-Të kontrollohet i gjithë dokumentacioni dhe Thesari në ruajtje, kudo qoftë, nga specialistë të Bankës së Shtetit, duke nxjerrë gjendjet e lëvizjet e arit në Thesar, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si dhe atë të dërguar jashtë shtetit”.

-PSE U PA ME FRIKE XHON MEKGOU

Më 24 shkurt 1992, RTSH-ja, në emisionin e lajmeve, transmetoi një intervistë të një qytetari të huaj, që quhej Xhon Mekgoi, intervistë që ishte marrë 4 ditë më parë. Mekgoi, në këtë intervistë, deklaroi se në fund të vitit 1990, e në fillim të vitit 1991, kishte qenë dëshmitar i transferimit nga Shqipëria në Zvicër, i 10 tonëve ar. Ai theksonte se, vetëm në nëntor – dhjetor 1990, janë dërguar në Zvicër, nga Tirana, dy avionë të posaçëm, dërgesa e të cilëve, ari, ka përfunduar në Bankën “Strase”.

Sipas tij, një pjesë e këtij ari, përbënte edhe kapitalin bazë të një banke shqiptaro-zvicerane, që ekzistonte në Tiranë. Banka në fjalë, ishte “Iliria Suisse Bank”. Përveç kësaj, Mekgoi shfaqi dyshimet e tij, për firmën “Iliria Holding”, e cila edhe në mjedise politike të kohës, përflitej si e lidhur me familjen Hoxha, për të mos thënë që menaxhonte të ardhurat e kësaj familje.

Këto deklarime të Mekgoit, shkaktuan një pështjellim të madh tek politika e majtë në Tiranë. I pari, reagoi presidenti komunist, Ramiz Alia, i cili siç dihet, ka qenë një ndër njerëzit më të afërt, të klanit Hoxha. Vetëm një ditë më pas, Ramiz Alia, i kërkoi kryeprokurorit të Përgjithshëm, Petrit Serjani, “verifikimin e fakteve të mësipërme” dhe procedimin penal të Mekgoit, “nëse lajmi është i rremë”.

Si kuptohet nga deklaratat e rastit, Xhon Mekgoi, kishte vizituar edhe me personalitete të tjera të shtetit, duke përfshirë këtu edhe kryeministrin, Vilson Ahmeti. Ky i fundit, sipas “ZP”-së, i është drejtuar Mekgoit, me këto fjalë: “Mos lëshoni tullumbace të tilla”. Nga ana e tij, drejtori i Thesarit të Shtetit, Fahri Hoxha, i pyetur për këtë problem nga gazeta “ZP”, më 26 shkurt 1992, ndër të tjera deklaron:

“Ne nuk dimë asgjë për sasinë e arit të përmendur në intervistën e transmetuar në televizion. Nga Thesari i Shtetit, ka dalë ar në bazë të vendimeve të Këshillit të Ministrave. Pa këto vendime, nuk del asnjë gram ar nga Thesari. Ari ka filluar të dalë nga Thesari, duke filluar nga viti 1988. Më pare, nuk ishte e nevojshme me ndonjë përjashtim të rrallë, sepse nevojat tona, mbuloheshin nga eksportet.

Që nga viti 1988, ka dalë gjithsej 7.2 ton ar. Nga këto 4.07 ton, ka qenë për kambizëm, 1.8 ton, për Tregtinë e Jashtme dhe 1.3 ton, për nevojat e shtetit. Në vitin 1988, kemi marrë një avion të posaçëm jashtë linje, me të cilin kemi nxjerrë jashtë shtetit, 2 ton ar. Sasira të tjera më të vogla, janë dërguar me avionët e linjës….! Ne në Thesar, nuk kemi pasur kurrë 10 ton ar”. Memorie.al

 

Fraksion.com