AktualitetBota+Të fundit

Yellen: SHBA do të arrijnë kuotën maksimale të borxhit më 1 qershor

Sekretarja e Thesarit Janet Yellen njoftoi Kongresin të hënën se Shtetet e Bashkuara pritet të arrijnë kuotën maksimale të borxhit më 1 qershor, nëse ligjvënësit nuk e rrisin tavanin e borxhit para kësaj date.

Në një letër drejtuar udhëheqësve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, Sekretarja Yellen i kërkoi Kongresit “të mbrojë besimin e plotë dhe kredinë e Shteteve të Bashkuara duke vepruar sa më shpejt që të jetë e mundur” për të rritur tavanin e borxhit prej 31.4 trilionë dollarësh.

“Ne kemi mësuar nga ngërçet e kaluara të tavanit të borxhit se pritja deri në minutën e fundit për të rritur tavanin e borxhit mund të shkaktojë dëm serioz në besimin e biznesit dhe konsumatorit, mund të rrisë kostot afatshkurtra të huamarrjes për taksapaguesit dhe mund të ndikojë negativisht në vlerësimin e kreditit të Shteteve të Bashkuara”, thuhet në letrën e saj për udhëheqësit e Kongresit.

Departamenti i Thesarit tha të hënën se planifikon të rrisë nivelin e huamarrjes gjatë tremujorit prill-qershor të këtij viti, edhe pse qeveria federale është afër shkeljes së tavanit të borxhit.

Ndërsa pushtimi rus i Ukrainës mbetet një barrë për rritjen ekonomike të Shteteve të Bashkuara, zyrtarët e Departamentit të Thesarit thonë se debati mbi tavanin e borxhit përbën rrezikun më të madh për pozicionin financiar të vendit.

Eric Van Nostrand, ndihmës sekretar në detyrë për politikat e ekonomisë, tha përmes një deklarate se “edhe nëse Kongresi përfundimisht vendos ta rrisë tavanin e borxhit përpara skadimit të afatit, pasiguria e shkaktuar nga vonesat mund të rrisë kostot e huamarrjes dhe të nxisë strese të tjera financiare që do të dobësonin tregun tonë të punës dhe pozicionin tonë në botë.”

Në janar, Sekretarja Yellen u dërgoi një letër udhëheqësve të Kongresit, duke deklaruar se Departamenti i Thesarit kishte filluar të përdorte “masa të jashtëzakonshme” për të shmangur një situatë, në të cilën qeveria federale nuk do të ishte në gjendje të përmbushte detyrimet e saj financiare. Ajo tha se është “kritike që Kongresi të veprojë në kohën e duhur” për të rritur tavanin e borxhit./voa

 

Fraksion.com