AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Qarku i Korçës, destinacion i 1 milion turistëve

“Turistët e qarkut të Korçës do të kalojnë 1 milion dhe investimet tona do të bëjnë që ky qark të jetë një ndër pikat më të nxehta për nga lëvizja dhe ekonomia në të gjithë rajonin e Ballkanit”, deklaroi sot Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në një takim me banorë të Korçës.

Kryeministri Rama tha se, qeveria ka dhënë një mbështetje të jashtëzakonshme për Korçën, e cila e meriton.

“Mbështetjen që ka marrë e ka kthyer në pasqyrën rrezatuese të një shembulli fantastik. Ishte një qytet që ishte përdhunuar nga braktisja, indiferenca dhe përbuzja, sepse në Korçë kur kemi ardhur për ta nisur këtë rrugëtim ishte vetëm një hotel, Hoteli i vjetër i Turizmit. Sot në Korçë ka mbi 150, bujtina i themi, por janë hotele të vogla luksi të ndërtuara nga shpirti sipërmarrës i atyre që i kanë trashëguar ato shtëpi, të cilat po ia kthejnë Korçës mirësinë e atyre që i ndërtuan, duke krijuar çdo javë vende të reja pune”, nënvizoi Rama duke shtuar se janë 3 mijë njerëz që janë punësuar përmes atij programi.

Duke folur për Kolonjën, Rama tha se, “nëse sot numri i atyre që kanë shkuar në Kolonjë, kanë fjetur, ka arritur në 21 mijë, nesër numri i atyre që do të shkojnë e do të flenë në Kolonjë do të jetë mbi 100 mijë”.

“Korça ka pasur një fat, sepse kur ishte në errësirë i gjithë qarku në Korçë erdhi njeriu, i cili krijoi, jo vetëm modelin, por edhe shembullin, mundësinë që dhe të tjerët të shikonin se ky vend mund të bëhej, që është Niko Peleshi, që është fati i Sotiraqit, se Korça është e vetmja bashki që ka dy kryetarë bashkie, një e ka këtu, një e ka në Tiranë”, tha Rama.

Më tej Rama tha se, “sot që ne mund ta flasim, por disa vite më parë nuk mund as ta diskutonim, që Korça ka nevojë për Maliqin për ta fuqizuar më tutje ofertën e vet turistike. Maliqi i njerëzve punëtorë që kanë prodhuar tërë jetën e tyre që të hanë të tjerët, nuk ka qenë kurrë një vend ku mund të imagjinohet se turizmi është një vlerë e shtuar. Kjo epokë ka filluar. Maliqi do të bëhet një nga dhomat e pritjes së këtij qarku për turistët e panumërt që do të vijnë këtu”.

“Ashtu sikundër sot është Pusteci një qytezë e vogël, e cila ka filluar të marrë frymë, por ka në dispozicion një thesar të jashtëzakonshëm, një bekim nga Zoti dhe natyra, që i duhet Korçës si një tjetër vlerë e shtuar. Kur shikoni të ardhmen drejt 2030-ës kuptoni që nuk bëhet fjalë më për disa bashki të ndara nga njëra-tjetra, por për një unitet të madh mes disa bashkive, që qendër graviteti kanë Korçën, dhe rreth saj kësaj qendre ka të gjitha pikat që e bëjnë atë një organizëm shumë të fuqishëm që do të prodhojë shumë më tepër ekonomi, punësim, ardhmëri për të gjithë ata që do të kenë durimin për ta çuar këtë vend përpara”, u shpreh Rama.

 

Fraksion.com