Rama: Asnjë patriot nuk do pranonte që nipi në emër të së djathtës t’i japë votën “Like floririt”
Kryeministri i vendit, Edi Rama në vazhdën e takimeve elektorale është takuar me qytetarët e Korçës.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama është shprehur se një vëmendje e veçantë këtë mandat do t’i kushtohet Pogradecit teksa thotë me besim se turistët në qarkun e Korçës do të kalojnë 1 milionë.
Rama mes të tjerash thotë se qarku i Korçës do të jetë një nga pikat më të nxehta në rajon për nga jeta, lëvizja dhe ekonomia.
“Ka shumë të drejtë Niko kur thotë se ky mandat do të jetë mandati i Pogradecit sepse sot Korça më shumë nevojë se asnjëherë tjetër sepse oferta e Korçës dhe ambicia jonë për Korçën është zgjerimi i kapaciteteve për të sjellë gjithmonë e më shumë vizitorë gjithmonë e më shumë turistë. Jam i bindur se turistët e këtij qarku, shumë shpejt, sado e çuditshme mund të duket, do të kalojnë 1 milionët dhe investimet tona do të bëjnë që ky qark të jetë një ndër pikat më të nxehta për nga jeta, për nga lëvizja, për nga ekonomia në të gjithë rajonin e Ballkanit.”, tha kryeministri Rama.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama nuk la pa ironizuar koalicionin “Bashkë Fitojmë” teksa tha se nuk ka patriot që prehet në varr të pranonte që nipi apo stërnipi i tij në emër të së djathtës t’i japë votën Ilir Metës të cilin e quan “Like floriri”.
“Nuk ka patriot, kockat e të cilët prehen në këtë vend që do ta pranonte atje ku prehet që nipi apo stërnipi i tij në emër të së djathtës t’i japë votën “Like floririt”, nuk ka dhe nuk ekziston. Nuk ka patriot që prehet në botën tjetër, kujtimin e të cilit kanë për detyrë që ta respektojnë ata që janë pasardhës gjaku që do të pranonte i qetë dhe nuk do të rrotullohej 7 herë në varr nëse nipërit apo stërnipërit e tij do të shkonin në 14 Maj dhe do të votonin për dikë që SHBA dhe bota përëndimore i kanë thënë që je i padëshirueshëm.”, tha Rama.
Fraksion.com