Porti i ri në Durrës, amendohet kontrata, APD: Në 2021 nuk parashikonte bazë ushtarake. NATO kërkesa specifike pas luftës Rusi-Ukrainë
Porti i ri tregtar, një vepër me rëndësi strategjike që parashikohet të ndërtohet në Durrës ende nuk ka një projekt të detajuar teknik.
Pavarësisht se afatet për përfundimin e hartimit të projektit të fizibilitetit nga 8 muaj u shtynë në 15 muaj, ende ai nuk është dorëzuar.
Shkak për shtyrjen e afateve të përfundimit të studimit të fizibilitetit sipas njoftimit në Autoritetin e Prokurimeve Publike (APP) nga Autoritetit Portual Durrës (APD) në shtator 2022 mësohet të ketë qenë rishikimi i masterplanit të portit të ri në Durrës, duke përfshirë nevojat e reja për bazat e forcave detare, duke iu përmbajtur kapaciteteve të NATO-s për akostimin e mjeteve detare dhe sheshet në shërbim për forcat e armatosura.
Autoriteti Portual Durrës tha për Monitor se masterplani për portin e Durrësit u hartua në vitin 2021 dhe nuk parashikonte bazë ushtarake. “Me nisjen e luftës Ukrainë-Rusi dhe vetë forcat detare dinamizuan bashkëpunimin me NATO mbi kapacitetet tona akomoduese. Ndaj lindi nevoja për të përmirësuar rrënjësisht masterplanin duke përfshirë nevoja të reja për bazë detare të mirëfilltë. Njoftimi në APP është thjesht pasojë e këtyre zhvillimeve terësisht pozitive”, pohon APD.
Masterplani për projektin e ri tregtar është hartuar nga kompania holandeze “Royal Haskoning” dhe u prezantua për publikun në dhjetor të vitit të kaluar nga autoritetet shqiptare. Do të jetë sërish kompania holandeze që do të hartojë studimin e fizibilitetit të portit të ri. Por burime nga tregu i industrisë detare pohuan për “Monitor” se pritet që sërish të këtë shtyrje të realizimit të projektit ë cila pritet të kërkojë sërish fonde shtesë.
Për shtyrjen e afatit të përfundimit të hartimit të projektit teknik të portit në tender u shtua fondi me vlerë 223,2 mln lekë.
Fillimisht afati për përfundimin e projektit të detajuar teknik të portit të ri tregtar të integruar të Durrësit në Porto Romano referuar shpalljes së njoftimit të tenderit nga APD në APP në janar të 2022-s ishte 8 muaj nga data e nënshkrimit të kontratës. Kontrata është nënshkruar më 21 dhjetor 2021 dhe studimi i fizibilitetit duhej të dorëzohej në gusht të vitit 2022. Ndërsa fondi i prokurimit ishte me 1,145,354,372 lekë.
Por Autoriteti Portual Durrës në shtator të 2022-it ka qenë i detyruar të ndryshojë afatet e përfundimit të projektit teknik nga 8 muaj në 15 muaj (me afatet e reja projekti teknik duhet të dorëzohej i plotë në mars të 2023-it) si dhe të shtojë 19,5% fondin për realizimin e shërbimit. Fondi i ri i prokurimit ishte në vlerën e 1,365,777,813 lekëve. Shkak i shtyrjes së afatit ishte ndryshimi i masterplanit për projektimin e bazës detare, duke iu përmbajtur kapaciteteve të kërkuara nga NATO pas luftës Rusi-Ukrainë.
“Një aspekt thelbësor i këtij projekti është ndërtimi i një baze autonome detare për Forcën Detare të R.SH., të ndërlidhur me rrjetin rrugor dhe hekurudhor. Komanda e Forcës Detare, duke u koordinuar me përfaqësuesit Amerikanë, të cilët nëpërmjet Shtabit të Përgjithshëm kanë dërguar kërkesat specifike, i ka përcjellë Autoritetit Portual Durrës kapacitetet që nevojiten, duke u bazuar në: inventarin aktual të anijeve të Forcës Detare, anijet që kanë vizituar vendin tonë në kuadër të stërvitjeve të vendeve aleate si “defender Europe 21” dhe mundësinë për akomodimin e të gjitha anijeve të tipit “destroyer”.
Kjo ide, e artikuluar në nivel koordinimi politik, gjatë Ministerialit të Ministrave të Mbrojtjes së NATO-s në Bruksel, në datat 15-16 qershor, ka gjetur parimisht dhe mbështetjen e SACEUR, duke kërkuar që autoritetet shqiptare të detajojë edhe më tej projektin e tyre, duke bërë zëvendësimin e zërit projektimit për bazën autonome detare për forcën detare te R.Sh , në zonë për përdorimin e forcave te NATO-s.
Projekti i infrastrukturës i destinuar për akostimin e mjeteve detare dhe sheshet në shërbim për forcat e armatosura sipas MASTERPLANIT nuk i përmbahet kapaciteteve të kërkuara nga NATO.
Për sa më lart argumentuar, paraqitet nevoja për amendimin e kontratës fillestare, duke u ndryshuar afati i zbatimit dhe vlera totale e kontratës së prokurimit në fjalë.
Vlera e amendimit nuk tejkalon masën prej 20% të vlerës së kontratës fillestare”, citohet në dokumentet e prokurimit të tenderit./Monitor
Dokumenti njoftim2222aa
Fraksion.com