AktualitetKosovaRajoniTë fundit

Chollet bisedoi me Kurtin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha të hënën në mbrëmje se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për rëndësinë e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin pritet të diskutohet të martën në mbrëmje në Bruksel, në takimin e nivelit të lartë politik, Kosovë – Serbi.

Zoti Chollet shkroi në Twitter se pati “një bisedë shumë të mirë me kryeministrin Kurti për takimin e 2 majit mbi normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian, rëndësinë e zbatimit të menjëhershëm të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe partneritetin e fuqishëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”.

 

 

Takimi që pritet të mbahet në orët e mbrëmjes është i pari i nivelit të lartë politik pas pajtimit në Ohër për rrugën e zbatimit të marrëveshjes që u arrit më 27 shkurt në Bruksel.

Bashkimi Evropian tha se pret që palët “të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, e cila do të pasohet nga prezantimi dhe diskutimi mbi projekt statutin e Asociacionit t ë Komunave me shumicë Serbe.

 

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, Elbert Krasniqi, shkroi se sipas një vendimi të vitit 2020 parashihet që Ekipi Menaxhues të bashkërendohet më ministrinë e tij dhe t’i raportojë asaj. Por, ky ekip, tha ai, nuk i është përgjigjur një ftese për takim.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha javën e kaluar se mos raportimi nga ana e ekipit menaxhues është qasje e papërgjegjshme ndaj institucioneve të vendit.

Beogradi thotë se kusht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës por edhe zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Për këtë arsye me 23 prill me kërkesën e Beogradit, votuesit serbë bojkotuan zgjedhjet e organizuara nga autoritetet e Kosovës në veriun e banuar më shumicë serbe.

Pas atyre zgjedhjeve, presidenti serb kritikoi ashpër zyrtarët perëndimorë, duke i quajtur ata gënjeshtarë dhe mashtrues dhe tha se pakica serbe në Kosovë nuk do të tolerojë më “pushtimin” e huaj.

Marrëveshja e mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë në tërësi marrëveshjen dhe çdo refuzim për ta bërë një gjë të tillë do të ketë pasoja negative./VOA

 

Fraksion.com