Darka e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, Biden nxjerr në pah rreziqet ndaj gazetarëve
Darka e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, e njohur për humorin thumbues, u mbajt me një ton më solemn këtë vit pasi Presidenti Joe Biden foli për disa gazetarë amerikanë që janë arrestuar apo zhdukur në vendet autoritare anembanë botës.
“Sonte mesazhi që i dërgojmë vendit dhe botës është se shtypi i lirë është shtylla kryesore e një shoqërie të lirë, jo armiku i saj”, tha presidenti Biden në fjalimin e tij.
Presidenti dhe zonja e parë Jill Biden, me të mbërritur në vendin ku mbahej darka të shtunën, u takuan privatisht me prindërit e gazetarit të gazetës “Wall Street Journal”, Evan Gershkovich, i cili është i burgosur në Rusi që nga marsi. Gershkovich akuzohet për spiunazh, pavarësisht se kjo akuzë është mohuar nga ai, punëdhënësi i tij dhe qeveria amerikane.
Në mesin e 2600 të ftuarve ishte edhe Debra Tice, nëna e Austin Tice, i zhdukur në Siri nga viti 2012. Zyrtarët amerikanë thonë se ata besojnë se ai është gjallë dhe po punojnë për ta kthyer në SHBA.
“Gazetaria nuk është krim. Evan dhe Austin duhet të lirohen menjëherë së bashku me çdo amerikan tjetër të arrestuar jashtë vendit. Unë ju premtoj, po punoj jashtëzakonisht shumë për t’i kthyer ata në shtëpi”, tha zoti Biden.
Në darkën e përvitshme ishin të pranishëm edhe persona të famshëm, përfshirë aktorin Liev Schreiber dhe këngëtarin John Legend, si dhe manjatë të medias në Uashington.
Aktori dhe ish-guvernatori i Kalifornisë Arnold Schwarzenegger e hapi mbrëmjen me një video të regjistruar paraprakisht, ku foli për rëndësinë e një shtypi të lirë dhe të pavarur, duke i quajtur gazetarët “aleat të popullit”.
Presidenti Biden dhe zëvendëspresidentja Kamala Harris u ulën në skenë së bashku me komedianin Roy Wood Jr., aktor i programit “The Daily Show”, i cili mbajti fjalim të mbushur me humor thumbues për vet presidentin dhe të tjerë.
Ndërsa presidenti Biden pjesën më të madhe të fjalimit të tij e përqëndroi tek çështja e lirisë së shtypit, ai thumboi disa kritikë të tij politikë më të zëshëm.
Ai u tall me udhëheqësin republikan të Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy duke e kritikuar një projektligj që republikanët e miratuan së fundmi, i cili do të rriste tavanin e borxhit kombëtar në këmbim të një sërë shkurtimesh buxhetore që prekin edhe disa prej arritjeve kryesore legjislative të administratës së zotit Biden.
“Herën e fundit që republikanët votuan për diçka aq fatkeqe u deshën 15 raunde votimesh”, tha presidenti Biden, duke iu referuar betejës që bëri zoti McCarthy për t’u bërë kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve në janar.
Presidenti Biden u mor edhe me kritikat se ai është i moshuar për një mandat të dytë si president pak ditë pasi shpalli kandidaturën e tij për t’u rizgjedhur president në vitin 2024.
Aktori Roy Wood Jr. gjithashtu e ngacmoi presidentin Biden në lidhje me moshën e tij duke përmendur demonstratat kundër ligjit të ri për moshën e pensionimit në Francë.
“Ne duhet të frymëzohemi nga ngjarjet në Francë. Ata u rebeluan kur mosha e daljes në pension u rrit për dy vjet, nga 62 në 64 vjeç. Ndërkohë në Amerikë kemi një 80-vjeçar që na lutet të bëhet president edhe për katër vite të tjera. Ai po na lutet. Më lejoni ta përfundojë punën e nisur. Ai nuk po e thotë këtë si slogan fushate, por si lutje, më lejoni ta përfundojë punën e nisur”, tha komediani Roy Wood Jr./VOA
Fraksion.com