Rama: Pagë 83,000 lekë në maj dhe 128,400 lekë në 2024-ën për drejtoreshën e shkollës 9-vjeçare
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se, pagat e reja janë frut edhe i rritjes së të ardhurave falë rritjes së ekonomisë.
Rama solli shembullin e drejtoreshës së shkollës 9-vjeçare Ilda Nako, paga e së cilës, në maj 2023 shkon në 83,000 lekë dhe në vitin 2024 shkon në 128,400 lekë.
Kryeministri theksoi se pagat e reja, falë të cilave paga mesatare në Shqipëri thuajse dyfishohet duke arritur majën historike të 900 eurove në 2024.
“Kjo është frut i një përpjekjeje të gjatë, këmbënguljeje e durimi të madh për reforma të vështira e masa të domosdoshme për ekonominë dhe për financat tona, rritjeje të të ardhurave falë rritjes së ekonomisë, tregtisë, investimeve publike e private, rritjes së prodhimit e të eksporteve, modernizimit të sistemit të mbledhjes së taksave përmes kompjuterizimit të transaksioneve në kohë reale”, tha Rama.
Po ashtu, Kryeministri theksoi se, kjo është rezultat i lehtësimit e rritjes së shpejtësisë së shërbimeve për biznesin falë digjitalizimit të tyre, forcimit të shtetit në tërësi dhe uljes së ndjeshme të korrupsionit në tatime e dogana.
Por mbi të gjitha, theksoi ai, “pagat e reja janë frut i punës sonë të përbashkët, të çdo shqiptari e shqiptareje, që në shtet a në privat, kontribuon për ekonominë shqiptare me punën e vet”.
Qeveria Shqiptare po ndërmerr një reformë të madhe në sistemin e pagave, me qëllim rritjen e mirëqenies për çdo qytetarë, si dhe vlerësimin e profesionistëve bazuar edhe në kontributin e tyre ndër vite. Reforma do të zbatohet me dy hapa për tu përmbyllur në harkun kohor të një viti. Paga mesatare në përfundim të implementimit të plotë të reformës së pagave, do të shkojë në 900 euro nga 530 euro që është sot.
Reforma e pagave nisi këtë prill me rritjen e pagave për mjekët, mësuesit dhe forcat e sigurisë, ku përfshihen Policia e Shtetit, ajo e burgjeve dhe zjarrfikësit.
Fraksion.com