AktualitetPolitikëTë fundit

Manja: Lufta kundër korrupsionit, sfidë kryesore në procesin e integrimit në BE

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja prezantoi sot rekomandimet e Këshillit të Ministrave për Prokurorinë e Përgjithshme dhe për kriminalitetin.

Në fjalën e tij, Manja tha se, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do jetë një nga sfidat kryesore në procesin e integrimit të Bashkimit Evropian.

“Konstatojmë me kënaqësi që ka vijuar bashkëpunimi ndërmjet Prokurorisë së Posaçme, Prokurorisë së Përgjithshme dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese për rritjen e efektivitetit ndai veprave penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Prokurorët kanë rritur rolin aktiv në hetimet paraprake si nëpërmjet hetimeve të filluara kryesisht, ashtu dhe në hetimet e filluara pro aktive dhe në përdorimin e mjeteve të posaçme të hetimit, për veprat penale në fushën e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, ku krahasuar me vitin 2021 kemi një rritje të numrit të procedimeve penale”, u shpreh Manja.

Por, shtoi ai, “përsëri ky numër vijon të mbetet i ulët dhe për këtë Këshilli i Ministrave ka rekomanduar rritjen e çështjeve të hetuara kryesisht edhe për vitin 2023”.

“Ne inkurajojmë vijimin e rritjes së numrit të hetimeve pro aktive, përdorimi i mjeteve të posaçme të hetimit me qëllim vazhdimin e përmirësimit të mëtejshëm të cilësisë së hetimeve, veçanërisht në fushën e korrupsionit, referuar kompetencës lëndore”, tha Manja.

Në vijim, Manja tha se, Prokuroria e Posaçme i ka kushtuar një vëmendje të veçantë hetimit që lidhet me korrupsionin e zyrtarëve të lartë, duke u fokusuar kryesisht në keqpërdorimin e fondeve publike.

“Për këto arsye, numri i çështjeve dhe personave nën hetim ka qenë më i lartë se ai i veprave penale që lidhen me krimin e organizuar. Duhet nënvizuar se, i është kushtuar një rëndësi e veçante regjistrimit të hetimeve të filluara kryesisht, përdorimit me efikasitet të metodave të hetimeve proaktive dhe për pjesën më të mirë të procedimeve penale, ku është kërkuar përgjimi, e kryesojnë çështjet e hetuara për veprën penale të korrupsionit në radhën e zyrtarëve të lartë publik. Po kështu, edhe numri i procedimeve të regjistruara, numri i procedimeve të dërguara për gjykim dhe ashpërsimi i politikës penale për veprat penale në fushën e korrupsionit, krahasuar me vitin 2021 ka pësuar rritje”, tha ai.

Po ashtu, Manja theksoi se, pavarësisht këtyre me propozimin tim, Këshilli i Ministrave la rekomanduar që të rritet numri dhe cilësia e hetimeve për veprat penale në fushën e korrupsionit, veçanërisht duke u fokusuar në numrin e hetimeve të çështjeve të filluara kryesisht.

“Një rëndësi e veçantë i duhet kushtuar edhe rritjes së numrit të hetimeve financiare sistematike dhe hetimit financiar paralel për veprat penale që gjenerojnë produkte, shtimin e numrit të sekuestrimeve dhe të konfiskimeve përfshirë edhe rastet e tjetërsimit të tyre nga persona të tretë. Dhe këtu është rasti për të falënderuar drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme dhe të gjithë trupën e kësaj prokurorie për rritjen e numrit të hetimeve të krimeve financiare, por dhe të sekuestrimeve dhe konfiskimit të aseteve dhe të pasurive kriminale”, tha ministri Manja.

Po ashtu, Manja shtoi se, drejtimi i tretë për luftën kundër kriminalitetit për këtë vit është lufta kundër krimit të organizuar.

“Edhe pse në rekomandimet e vitit të kaluar i kemi pasur të përfshira korrupsionin dhe krimin e organizuar, për vitin 2023 lufta kundër krimit të organizuar ngelet një rekomandim i veçantë për të gjithë sistemin e prokurorisë. Për këtë qëllim rekomandimet janë fokusuar në rritjen e bashkëpunimit të brendshëm dhe ndërkombëtar, sidomos me agjencitë ligjzbatuese të specializuara në luftën kundër krimit të organizuar. Shkëmbimin e shpejtë të informacionit, kryerjen e operacioneve të përbashkëta, në kuadër të efektivitetit të hetimit penal, përdorimin e metodave dhe të teknologjisë, si edhe rritjen e profesionalizmit të prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore”, u shpreh Manja.

Manja gjithashtu falënderoi të gjithë prokurorët për rritjen e besueshmërisë në hetimet e përbashkëta me homologët në Evropë.

Fraksion.com