Ibrahimaj: Miratohet strategjia për zhvillimin e tregjeve të kapitalit
Këshilli i Ministrave miratoi sot strategjinë për zhvillimin e tregjeve të kapitalit.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot, pas mbledhjes së qeverisë se, miratimi i kësaj strategjie i hap rrugë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për të zhvilluar më tej tregjet e kapitalit, duke zgjeruar ofertën e emetimit të obligacioneve.
“Prej shumë vitesh tashmë qeveria ka qenë ofruesi kryesor i bonove të thesarit, obligacioneve, pra i ofertës në tregjet e kapitalit për të investuar në tituj. Duke miratuar strategjinë e sotme, ne i hapim rrugë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për të zhvilluar më tej tregjet e kapitalit, duke zgjeruar ofertën e emetimit të obligacioneve”, u shpreh ministrja.
Nëpërmjet kësaj strategjie, vuri në dukje Ibrahimaj, synohet të fuqizohet bursa e Shqipërisë.
“Ne synojmë që të përcaktojmë aktivitete dhe rregulla të përcaktuara dhe me ndryshimet ligjore që tashmë kemi ndërmarrë, në mënyrë që kompanitë private dhe shtetërore të lehtësojnë procesin e tyre të tërheqjeve të kapitaleve, duke emetuar tituj, bono apo obligacione”, shtoi Ibrahimaj.
Sipas saj, synimi është që që brenda një periudhe afatshkurtër të mundësohet që edhe shoqëritë aksionere me aksione mbi 50 % të shtetit shqiptar të mundësojnë obligacione dhe të mund të tërheqin kapitale në forma të ndryshme, pra jo vetëm nëpërmjet financimit nga buxheti apo kredive nga sektori bankar.
“Ky është një hap i rëndësishëm jo vetëm për mundësinë e tërheqjes së financimeve, por edhe për rritjen e transparencës së funksionimit të të gjithë tregut privat dhe shtetëror të shoqërive aksionere”, tha ajo.
Fraksion.com