AktualitetPolitikëTë fundit

Zgjedhjet e 14 majit, Rama: Do të kemi një rezultat kuptimplotë për të gjithë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “në zgjedhjet e 14 majit do të kemi një rezultat shumë kuptimplotë për të gjithë”.

Në një prononcim për mediet, pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste, Rama tha se, “mbi të gjitha do të kemi një rezultat që aq sa do të na shpërblejë për punën që kemi bërë, aq do të na motivojë për punën që do të bëjmë”.

Rama tha se, “kundërshtarët tanë të vërtetë janë problemet që ka çdo bashki dhe janë problemet që kemi për të adresuar dhe zgjidhur si vend”.

“Pavarësisht se janë zgjedhje vendore, në 14 maj do të vendoset fuqia e bashkëpunimit mes qeverisë qendrore dhe qeverive vendore, do të vendoset aftësia materializuese për shumë plane që ne kemi për të gjitha bashkitë. Patjetër këto zgjedhje kanë edhe një komponent tjetër, që askush nuk mund ta anashkalojë dhe fshehë dhe të përpiqesh ta fshehësh është njësoj si struci kur fut kokën në rërë, që në 14 maj njerëzit duhet të qëndrojnë në krahun e duhur të historisë”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama tha se, “krahu i duhur i historisë nuk është thjesht në këtë moment Partia Socialiste, por është të qëndrosh në krah të aleancave strategjike të Shqipërisë”.

 

 

Fraksion.com