Raporti i PE-së, paralajmërim për ndërhyrjen ruse për krijimin e tensioneve në Ballkanin Perëndimor
Parlamenti Evropian, në një raport kushtuar ndërhyrjes së huaj në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor, e ka dënuar mundësinë që Serbia i ka dhënë kanalit rus, Russia Today, për të përhapur fushatën e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ky kanal shtetëror i Rusisë është nën sanksionet e Bashkimit Evropian (BE) për shkak se akuzohet se shërben për përhapjen e propagandës së Rusisë, ndërsa në Serbi ka hapur një zyrë dhe një kanal në gjuhën serbe.
Në këtë raport të përpiluar nga një komitet i veçantë i Parlamentit Evropian (PE) për ndërhyrje të jashtme, e që është miratuar të mërkurën në Komisionin e Politikës së Jashtme, nënvizohet nevoja që BE-ja në mënyrë aktive t’i kundërvihet propagandës së aktorëve që kanë qëllime të këqija në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe që kanë për qëllim dëmtimin e interesave dhe të vlerave të BE-së.
Rajoni i Ballkanit Perëndimor në këtë raport vlerësohet si hapësirë në të cilën përballen interesat e ndryshme strategjike dhe se disa vende të rajonit, në veçanti Serbia dhe hapësirat e dominuara nga serbët janë të ndjeshme ndaj tentimeve për destabilizim.
Raporti përmend përdorimin e investimeve strategjike dhe fushatat e dezinformimit për të dëmtuar edhe reputacionin e BE-së dhe për të penguar proceset demokratike.
Si shembull përmendet edhe fushata që ka për qëllim zvogëlimin e orientimit euroatlantik të qytetarëve të vendeve të rajonit.
Rusia, sipas këtij raporti, përdor ndikimin e saj në Serbi duke tentuar që të destabilizojë vendet fqinje, për shembull: “Në Bosnje e Hercegovinë përmes Republika Sërspkas; në Mal të Zi përmes ndjenjave pro-serbe si dhe Kishës ortodokse serbe; në Kosovë duke përdorur mospajtimet ekzistuese në veri”.
Qëllimi i ndërhyrjes ruse, sipas raportit, është duhet parë si pjesë përbërëse e një strategjie të promovimit të autoritarizmit në tërë Evropën.
Raporti përmend se si qëndrimet pro-ruse përhapen në rajon përmes mediave serbe dhe hungareze. Sa i përket Serbisë shprehet shqetësim sidomos për faktin se “Serbia është vendi më i përshtatshëm për ndikimin e huaj në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht nga Rusia dhe Kina”.
Në të njëjtën kohë theksohet edhe fakti se Serbia vazhdon të mos i mbështesë sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.
Në këtë pikë edhe në raportin e Parlamentit Evropian për Serbinë shprehet keqardhje për mospërshtatjen e Beogradit zyrtar me këto sanksione. Në mënyrë të veçantë përmendet hapja e kanalit Russia Today në Beograd.
“Me këtë i mundësohet këtij aktori qëllimkeq që të përhapë dezinformata në tërë rajonin e Ballkanit”, thuhet në raport dhe kërkohet nga autoritetet në Serbi që të ndërpresin emetimin e këtij kanali, si dhe të shërbimit Sputnik.
Fraksion.com