“Nëse nuk votojnë PS të mos dalin fare”, Rama – demokratëve: PD sot nuk ekziston më dhe nuk ka për të ekzistuar më as nesër…!
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar ofendim për socialistët krahasimin mes tij dhe çiftit drejtues të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Gjatë një prononcimi për mediet pas mbledhjes së Kryesisë, Rama deklaroi është çmenduri që një person i shpallur “non grata” nga aleati ynë më i madh, SHBA, dhe “zorra qorre” të mbështeten nga shqiptarët.
Rama e sheh me shqetësim që dy persona që duhet të përballeshin me drejtësinë, garojnë me kandidatët e tyre në zgjedhjet lokale. Megjithatë paralajmëron Berishën dhe Metën se “drejtësia vonon por nuk harron”.
Pjesë nga prononcimi:
Pyetje: Zoti Kryeministër, ju thatë demokratëve që nëse nuk votoni PS në 14 maj të mos dalin të votojnë fare. Pavarësisht kundërshtarit tuaj politik, a është etike, ligjore që kryeministri i vendit ta bëjë këtë thirrje?
Rama: Ç’do me thënë kjo që a është etike, ligjore ?
Pyetje: Që kryeministri i vendit të bëjë thirrje që qytetarët të mos dalin për të votuar?
Rama: Jo qytetarët të mos dalin për të votuar. Unë i kam folur një porcioni elektorati të palës tjetër për të cilin kam shumë respekt, atij porcioni të një të djathte që vjen nga historia, vjen nga inercia e një historie të caktuar dhe që ka bllokimin e vetë psikologjik për të imagjinuar se mund të votojë PS dhe ndërkohë ajo është një e djathtë, e cila ka në ADN-në e vet një lidhje shumë të fortë me SHBA, por nga ana tjetër është një e djathtë e cila ka në ADN-në e vetë dhe një komponent shumë të fortë besnikërie ndaj historisë së PD, e cila sot nuk ekziston më dhe nuk ka për të ekzistuar më as nesër në formën që e kemi njohur deri dje dhe unë kam dhënë thjesht një këshillë që ku do dilni në datën 14? Ku do shkoni? Do shkoni të merrni fletën e votimit dhe të vini shenjën e aprovimit për Liken? Kështu që kjo ka qenë. Ndërkohë që, patjetër opsioni i parë ka qenë që të votojnë dhe do të ketë shumë nga ata, jam i bindur, që do të votojnë për kandidatët tanë sepse është një zgjedhje shumë thjeshtë, kë do marrim në punë për 4 vitet e ardhshme për t’i shërbyer komunitetit, për të pastruar rrugët.
Pyetje: Zoti Rama keni evidentuar zona problematike ju si PS, sa i takon le të themi një acarimi gjatë ditës së zgjedhjeve dhe si do të veprohet, si do veprojë qeveria në këtë rast?
Rama: Këto historitë e acarimeve dhe të kërcënimeve janë histori të njohura. Ka vite që i dëgjojmë dhe i kemi parë që e vetmja pasojë që kanë sjellë është ndryshkja e dhëmbëve të atyre që përdorin dhëmbët për të kërcënuar për acarime për gjëra të kësaj natyre.
Pyetje: Zoti Rama, ju thoni që nuk konsideroni Berishën dhe Metën si kundërshtarë ndërkohë që në të gjitha banderola nëpër qytete kemi në postera po këto dy figura, e nga ana tjetër në retorikën tuaj në takimet elektorale gjithmonë e krahasoni veten tuaj me Berishën e 10 viteve më parë. Ju duket e drejtë kjo që krahasoni ende dhe ju premtoni shqiptarëve më të mira se në 2013 ndërkohë që…
Rama: Jo zonjë, jo, jeni gabim shumë dhe nuk keni ndjekur si duket me vëmendje atë që ne themi. Unë s’bëj asnjë krahasim sepse është ofendim për mua dhe është ofendim për socialistët që unë të bëj krahasim mes meje dhe non gratave apo një zorre qorre që është në trupin e Shqipërisë si një torturë e vazhdueshme që Shqipëria po e adreson, sigurisht, por që duhet ta operojë përfundimisht në një moment të caktuar. S’bëj asnjë krahasim dhe unë flas për sot.
Rrogat po rriten sot dhe po rriten siç nuk janë rritur kurrë dhe që Shqipëria do të kishte një rrogë mesatare 900 euro në një moment kur ka dalë nga një kthesë me tërmet, me pandemi, me luftën, inflacionin, këtë nuk besoj ta imagjinonte tjetër kush e jo më ta bënte, përveç PS kështu që s’bëj unë fare nga këto. Unë nuk krahasohem me postera, është e ardhmja dhe e shkuara. Kaq e thjeshtë është. Kjo nuk ka lidhje fare me asgjë tjetër.
Ne nuk e zgjedhim kush janë kundërshtarët tanë, atë e zgjedh vota. Por ka një pjesë të shqiptarëve që fatkeqësisht vazhdojnë të zgjedhin njerëz të cilët duhet t’i kishin dërguar me kohë të shikonin hallet e tyre dhe të merreshim me problemet që kanë me drejtësinë, të cilat janë probleme që nuk kanë për t’u zgjidhur kurrë si çudia që zgjat pak ditë.
Drejtësia vonon, por gjithmonë e më pak ka shansin t’i harrojë këta a njerëz dhe do të shikoni që drejtësia do të veprojë me patjetër më herët se sa vonë. Ajo që mua më neverit më shumë, është që këta njerëz kanë vënë në pikëpyetje, kanë pasur kurajon dhe kanë arritur të marrin me vete një pjesë të shqiptarëve në raport me njësinë dhe me domosdoshmërinë strategjike të marrëdhënieve me SHBA-të dhe me aleatët tanë dhe me partnerët tanë sepse vërtetë Bashkimi Europian nuk ka një normë të tillë si shpallja “non grata” e një individi, por të jeni të sigurtë që nuk ka derë që hapet askund për këta. Askund! Jo vota të marrin këta po të marrin nuk e di domethënë, kjo është një çmenduri që të diskutohet kjo gjë dhe njerëzit duhet të ndahen nga këta sepse nuk është puna e një njeriu, e dy njerëzve, është puna e një fryme, është mënyra e të bërit të politikës, është puna e një historie të dhimbshme që duhet patjetër të ndëshkohet nga shqiptarët dhe do të ndëshkohet.
Fraksion.com