AktualitetTë fundit

Porositi 137 kg kokainë nga Ekuadori, Gjykata e Posaçme e Apelit lë në fuqi vendimin për dënimin e biznesmenit Malindi

Gjykata e Posaçme e Apeli lë në fuqi vendimin për dënimin me 13 vite burg të biznesmenit Gentian Malindi, i cili në aplikim të gjykimit të shkurtuar dënohet me 8 vjet e 8 muaj burg, i akuzuar për trafikun e 137 kg kokainë nga Ekuadori.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja (kryesues), Engert Pëllumbi (anëtar) dhe Igerta Hysi (anëtare), më datë 25.04.2023, përfundoi shqyrtimin e çështjes së regjistruar me nr. 26 akti, datë 22.02.2023 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesi/i pandehuri Gentian Malindi, kundër vendimit nr. 2, datë 10.01.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Gentian Malindi për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga neni 283/a/1, dhe në lidhje me nenet 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal dënimin e tij me 13 (trembëdhjetë) vjet burgim.

2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Gentian Malindi për vepër penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.

3. Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal në bashkim të dënimeve i pandehuri Gentian Malindi dënohet me një dënim të vetëm prej 13 (trembëdhjetë) vjet burgim.

4. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Gentian Malindi i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 8 (tetë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.

5. Vuajtja e dënimit për pjesën e pavuajtur të kryhet nga i pandehuri Gentian Malindi në një burg të sigurisë së lartë, në respektim të nenit 16 pika 1, germa “a” të ligjit Nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 2, datë 10.01.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

 

 

Kapja e drogës: 

Më 19 gusht 2019 kontejnerët mbërritën nga Ekuadori, transit në portin e Pireut në Greqi dhe në këtë moment nisi operacioni ku u zbuluan dhe u sekuestruan 500 kg kokainë nën koordinimin e DEA dhe autoriteteve greke të cilët më pas njoftuan edhe palën shqiptare. Pasi kontejnerët kanë qëndruar për 26 ditë në Pire ku janë bërë disa takime me palën shqiptare greke dhe koordinimin e DEA-s zyrës kundër drogës së SHBA-ve me seli në Athinë është vendosur dorëzimi i kontrolluar e më pas lejimi për udhëtim drejt Shqipërisë në Portin e Durrësit.

Pas tre ditëve lundrim në det katër kontejnerët të cilët grupi i Gentian Malindit i priste me kokainë në Durrës kanë prekur tokën shqiptare mbrëmjen e 17 shtatorit në orën 21:24 minuta. Të përfshirët në këtë trafik nuk mbërritën që atë mbrëmje për të marrë pakot e kokainës duke i lënë atje për disa ditë deri sa mesditën e 19 shtatorit të kontraktuarit nga Malindi, Altin Myslikhaka dhe Ardian Bega paraqiten në terminal dhe hapin një nga kontejnerët. Sipas grupit hetimor ata kanë hapur vetëm kontejnerin me targë 313 duke hequr me një kaçavidë pllakën metalike dhe duke marrë prej atyre disa pako me çantë dore. Pako të cilat në vend të 137 kg kokainë kishin 136 kg oriz e gips si dhe 1 kg kokainë në të cilën kishte të montuar pajisjen e lokalizimit satelitorë GPS duke u zbuluar.

Gentian Malindi, me origjinë nga Skrapari dhe banim në Durrës, djali i avokatit të njohur Ilir Malindi, është pronar i një kompanie për tregtiimin e produkteve të detit, i arrestuar më herët me lëndë narkotike (në vitin 2013).

 

Fraksion.com