AktualitetPolitikëTë fundit

Belind Këlliçi poster kundër korrupsionit me gishtat e mesit: Reagimet

Një veprim i pahijshëm i kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi ka shkaktuar reagime të shumta. Në disa postera të vendosur në rrugët e kryeqytetit, Këlliçi ka treguar gishtin e mesit, ku sipas tij, është çfarë ai do t’i tregojë korrupsionit.

Ky veprim nuk është pritur aspak mirë edhe nga ‘Xhamitë e Tiranës’, ku përmes një deklarate bën thirrje për reflektim, sa i takon rëndësisë së kodit etik në procesin e zgjedhjeve.

Në deklaratë, thuhet se kandidatët duhet të mbajnë një nivel të lartë të sjelljes dhe të respektojnë ligjet dhe rregulloret e zgjedhjeve, teksa për Këlliçin, nënvizohet se ai ka kryer një veprim të papranueshëm.

Kjo sjellje e Këlliçit konsiderohet jo vetëm e papërgjegjshme dhe e pashembullt, por gjithashtu mund të ndikojë negativisht në imazhin e qytetit.

Ndër të tjera, pati një thirrje edhe për KQZ-në, ku kërkohet ndërhyrja në kohë për të parandaluar ndikimin negativ të sjelljes së kandidatit në imazhin e qytetit dhe në integritetin e zgjedhjeve.

Deklarata e plotë

Thirrje për reflektim!

Ju lutem të reflektoni në lidhje me rëndësinë e kodit etik në procesin e zgjedhjeve. Në këtë periudhë, kur kandidatët janë duke luftuar për votën tuaj, është thelbësore të mos harroni rëndësinë e etikës në politikë.

Fitimi në zgjedhje është një objektiv i rëndësishëm për çdo kandidat, por duhet të bëhet në mënyrë etike. Kandidatët duhet të mbajnë një nivel të lartë të sjelljes dhe të respektojnë ligjet dhe rregulloret e zgjedhjeve.

Fitorja e vërtetë nuk është vetëm fitimi në zgjedhje, por edhe lufta kundër tundimit dhe shfrenimit. Kandidatët duhet të jenë shembuj pozitivë për qytetarët dhe të mbajnë një nivel të lartë të sjelljes në publik.

Në këtë rast, kandidati i koalicionit “Bashke Fitojme” ka bërë një veprim të papranueshëm, duke treguar gishtin e mesit në ambjente publike ku kalojnë familjare dhe fëmijë. Kjo sjellje nuk është vetëm e papërgjegjshme dhe e pashembullt, por gjithashtu mund të ndikojë negativisht në imazhin e qytetit dhe në perceptimin e votuesve për kandidatin.

Prandaj, ne i bëjmë thirrje kandidatit të marrë vesh se sjellja e tij është e papranueshme dhe nuk është në përputhje me nivelin e kërkuar të sjelljes nga kandidatët në zgjedhje. Gjithashtu, i bëjmë thirrje KQZ-së të ndërhyjë në kohë për të parandaluar ndikimin negativ të sjelljes së kandidatit në imazhin e qytetit dhe në integritetin e zgjedhjeve.

Në fund të fundit, zgjedhjet janë një proces i rëndësishëm dhe duhet të jenë të ndershme dhe të paanshme për të siguruar që vota e secilit qytetar të respektohet dhe të ndikojë në zgjedhjen e përfaqësuesve të tij të zgjedhur në mënyrë të përgjegjshme.

……

Edhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi e konsideroi të papranueshme posterin e kandidatit të aleancës “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi me gishtat e mesit.

Postimi i plotë

Aleanca kundër Gjuhës së Urrejtjes konstatoi përmbajtje jo të përshtatshme në posterat elektorale të vendosura në zona të ndryshme të Tiranës.

Përdorimi i imazheve dhe gjesteve fyese në fushata elektorale që cenojnë dinjitetin e njeriut janë të papranueshme dhe të sanksionueshme me ligjin zgjedhor.

Aleanca kundër Gjuhës së Urrejtjes vlerëson vendimmarrjen e fundit të Komisioneri Shtetëror të Zgjedhjeve për heqjen e bilbordeve denigrues duke nxitur subjektet zgjedhore të vetpërmbahen për të pasur kujdes edhe në mesazhin që iu jepet gjeneratave të reja. Partitë politike nuk duhet të heqin dorë nga roli edukues dhe modeleve pozitive për shoqërinë.

Aleanca kundër Gjuhës së Urrejtjes nxit subjektet zgjedhore të japin shembullin e mirëkuptimit, dialogut dhe paraqitjen e alternativave më mira në dobi të komuniteteve që do qeverisin pas zgjedhjeve. Përgjegjshmëria, kujdesja për fjalën e mirë është veti e liderëve të komuniteteve.

Aleanca kundër Gjuhës së Urrejtjes vë në dukje se Kodi i sjelljes për Partitë politike në Shqipëri i nënshkruar nga subjektet zgjedhore bazohet në respektimin e dinjitetit të barabartë të të gjitha qenieve njerëzore, lirinë e shprehjes dhe mendimit, dialogun demokratik, tolerancën dhe respektin e ndërsjelltë, duke luftuar kundër të gjitha formave të pretenduara të epërsisë së një grupi ndaj të tjerëve, si dhe diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes.

Fraksion.com