“La Belle De L’Adriatique” sjell 134 turistë francezë në Durrës
Durrësi ka nisur zyrtarisht sezonin e kroçerave turistike edhe për këtë vit kalendarik. Mëngjesin e kësaj të hëne është ankoruar në Portin e Durrësit “La Belle De L’Adriatique”, e cila ka sjellë 134 turistë, kryesisht francezë.
Për të disatin vit radhazi është pikërisht “La Belle De L’Adriatique”, që hap siparin e sezonit turistik për kroçerat, të cilat sjellin turistë nga vende të ndryshme të botës.
Turistët e huaj, gjatë qëndrimit njëditor në Durrës, ndalen në sitet arkeologjike të Durrësit, Krujës e Tiranës.
Anija me gjatësi 111 m, e cila lundron nën flamurin belg u ankorua në kalatën 5 të portit. Ky nuk do të jetë lundrimi i saj i vetëm drejt Durrësit për këtë vit, ndërsa mësohet se gjatë këtij sezoni kjo anije turistike do të vizitojë portin më të madh të vendit edhe 5 herë të tjera.
“Monet”, “Sea Cloud, “Amadea” apo “Seven Seas” janë disa nga kroçerat që do të rikthehen edhe këtë sezon në portin e Durrësit.
Anijet turistike dhe jahtet po përfshijnë gjithnjë e më shumë vendin tonë në agjendat e tyre, duke e kthyer në një prej destinacioneve të preferuara.
Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti Portual Durrës, përgjatë periudhës prill-tetor 2023, 23 kroçiera kanë konfirmuar ndalesën e tyre në Durrës.
Autoriteti Portual Durrës ka marrë të gjitha masat për pritjen e anijeve dhe sigurinë e turistëve në territorin portual, duke vënë kalatat portuale në funksion të tyre përgjatë gjithë sezonit.
Në përfundim të vizitës së saj në Durrës, kroçera “La Belle de L’Adriatique” do të niset drejt Portit të Barit, Mal i Zi për të vijuar eksplorimin e siteve turistike në brigjet e Mesdheut.
Fraksion.com