AktualitetKosovaTë fundit

Dy parti shqiptare ndajnë pushtetin në 4 komunat e veriut

Zgjedhjet e së dielës në veri të Kosovës u bojkotuan masivisht nga serbët. Reagimet ndërkombëtare pas zgjedhjeve pa incidente ishin pozitive, Serbia reagoi me zemërim. Presidenti Vuçiq i cilësoi zgjedhjet “pushtuese”.

Reagime ndërkombëtare pas zgjedhjeve

Megjithë bojkotimin masiv që ju bë zgjedhjeve në veri nga serbët dhe partitë politike serbe, Ambasada Amerikane në Prishtinë, tha se “zgjedhjet në veri janë në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës”. “Mbështesim një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse, shumetnike në Kosovë dhe zgjedhjet që e mbështesin atë. Na vjen keq që jo të gjitha partitë shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullsisë së cilës i shërbejnë. Votimi është një liri thelbësore shoqërive demokratike”, thuhet në komunikatën zyrtare të ambasadës amerikane.

Kurse Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, nga ana e tij, tha se dalja e ulët në zgjedhjet në veri, nuk i kontribuon zgjidhjes politike dhe se atij i vjen keq që jo të gjitha partitë morën pjesë në zgjedhje. “Zgjedhjet me kaq pak votues nuk i kontribuojnë zgjidhjes politike. Megjithatë, pozitive ishte profesionalizmi i treguar nga autoritetet e rendit në Kosovë dhe ato ndërkombëtare”.

Vuçiq bën fjalë për zgjedhje pushtuese

Pas zgjedhjeve në veri  të Kosovës reagoi edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai i cilësoi zgjedhjet si “pushtuese”, ndërsa kryeministrja serbe, Ana Brnabiç, duke postuar fotografi të policëve të Kosovës pranë qendrave të votimit, shkroi se “këto janë imazhet që me të vërtetë përshkruajnë sundimin e ligjit” dhe kuptimin e vërtetë të “zgjedhjeve demokratike” në Kosovë të mbështetura nga Bashkimi Evropian dhe vendet e ‘Quin-tit”. Edhe Presidenti Vuçiq dhe kryeministrja Bernabiq, kritikuan ashpër vendet kryesore perëndimore për mbështetjen e zgjedhjeve të së dielës, duke theksuar se “qëllimi i tyre është pamundësimi i themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Vendet e Quint-tit, nuk e kanë kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve në veriun e Kosovës edhe pa pjesëmarrjen e Listës Serbe, që llogaritet subjekti kryesor politik serb në Kosovë, që e ka mbështetjen e Presidentit Vuçiq. Rrjeti i organizatave joqeveritare që vëzhgojnë zgjedhjet, “Demokracia në Veprim”, thanë se “ndonëse zgjedhjet plotësuan kriteret minimale ligjore, ato nuk garantojnë legjitimitet politik e përfaqësues të institucioneve që do të prodhohen nga to”.

Zgjedhje pa incidente

Asnjë incident nuk u shënua gjatë procesit të zgjedhjeve. Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, u shpreh i bindur se kryetarët e rinj të komunave në veri të Kosovës, nuk do të kenë probleme në punën e tyre, sepse, siç tha, “ligji do të zbatohet në të gjithë vendin”. E përfaqësues të Listës Srpska, thanë se “nuk do të lejojnë që komunat në veri të Kosovës të udhëhiqen nga ata që “fituan 1 apo 2% të votave”, por, nuk sqaruan se çfarë masash mund të ndërmarrin. Postet e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës mbetën bosh në nëntor të vitit të shkruar pasi  përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës dhanë dorëheqje, për shkak të mospajtimeve që kishin ndaj një vendimi të qeverisë së Kosovës për ri-regjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia./DW

 

Fraksion.com