Shisnin dëftesa false, në pranga drejtori i shkollës dhe një tjetër
Zbulohet një rast abuzim me dëftesa false në Shkodër.
Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ra Gjovalin Kodra, me detyrë Drejtor i shkollës 9-vjeçare në fshatin Hot i Ri, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”; dhe Gjin Fusha, qytetar që thuhet se i shiste këto dëftesa.
NJOFTIMI I POLICISE
Operacioni, rezultat i një hetimi proaktiv, të kryer nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit dhe me Prokurorinë e Shkodrës. Lëshonte dëftesa false, kundrejt shumës 3200 euro, duke përdorur vulën e falsifikuar të një shkolle të mesme, arrestohet në flagrancë 54-vjeçari, aktualisht drejtor i shkollës 9-vjeçare në fshatin Hot i Ri.
Në pranga edhe një shtetas tjetër, bashkëpunëtor i 54-vjeçarit, pasi u kap në tentativë për të shitur dëftesen false. Sekuestrohen 26 dokumente shkollore të paplotësuara, por të pajisura me vulën e shkollës së mesme, vula e shkollës 9-vjeçare, 5 USB, 1 celular dhe shuma parash të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.
Strukturat operacionale të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DPPSH-së, si rezultat i një hetimi proaktiv të kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Dëftesa”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-Gj. K., 54 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë Drejtor i shkollës 9-vjeçare në fshatin Hot i Ri, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”;
-Gj. F., 66 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të këtij operacioni, dyshohet se këta shtetas bashkëpunonin me njëri-tjetrin, për të falsifikuar dëftesa, duke përdorur vulën e falsifikuar të shkollës së mesme në fshatin Breg Lumi, dhe për të pajisur me këto deftesa, shtetas të ndryshëm, kundrejt përfitimeve monetare. Në cilësinë e provës materiale, 26 dokumente shkollore të paplotësuara, por të pajisura me vulën e shkollës së mesme, vula e shkollës 9-vjeçare, 5 USB, 1 celular, si dhe shumat e parave 640 euro dhe 16 000 lekë, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.
Vijojnë veprimet hetimore për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale shtetasit e tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë rast. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Fraksion.com