AktualitetBota+Të fundit

Kina akuzon G7 për “shpifje qëllimkëqia”

Pas kritikave të G7 ndaj Kinës, Pekini i akuzoi këto vende për “shpifje me qëllim të keq”. Ata duhet të “heqin dorë nga të menduarit si në Luftën e Ftohtë” e të mos ua “diktojnë me përbuzje sjelljen shteteve të tjera “.

Kina reagoi me kritika të forta ndaj vendimeve të marra në takimin e ministrave të jashtëm të grupit të demokracive të forta ekonomikisht (G7) në Japoni. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Wang Wenbin, tha në një konferencë për shtyp në Pekin se vendet e G7-ës “kishin ndërhyrë rëndë në punët e brendshme të Kinës, kishin shpifur dhe denigruar Kinën me keqdashje”.

“Deklaratat ishin plot arrogancë, paragjykime dhe qëllime të këqija për të shtypur Kinën”. Vendi i tij kishte protestuar ndaj Japonisë, mikpritëse e G7, tha zëdhënësi. Sipas tij, Tajvani është “pjesë e pandashme” e Republikës Popullore të Kinës. Për të ruajtur vërtet paqen në ngushticën e Tajvanit, është e nevojshme të refuzohen aspiratat e pavarësisë në ishull, shtoi ai.

“Hiqni dorë nga të menduarit si gjatë Luftës së Ftohtë”

Hong Kongu, Tibeti dhe provinca Xinjiang janë gjithashtu vetëm “çështjet e brendshme” të Kinës, të cilat nuk lejojnë asnjë ndërhyrje të jashtme, tha Wang-u. Situata aktuale në Detet e Kinës Lindore dhe Jugore është përgjithësisht e qëndrueshme, shtoi ai. Kina e respekton Kartën e OKB-së dhe normat bazë të së drejtës ndërkombëtare, tha ai. Vendet e G7-ës duhet të “heqin dorë nga të menduarit si gjatë Luftës së Ftohtë dhe nga paragjykimet ideologjike”, tha Wang. Ata as nuk duhet t’ua “diktojnë sjelljen e tyre në vende të tjera”.

Lidhur me shqetësimet e G7 për zgjerimin e arsenalit bërthamor të Kinës, Wang tha se Kina posedon vetëm një “numër minimal armësh bërthamore të nevojshme për sigurinë kombëtare”. Kina është e vetmja fuqi bërthamore, që është zotuar të mos jetë e para që do të përdorë armët bërthamore. SHBA kanë arsenal më të madh, tha zëdhënësi.

Dënim i aktiviteteve ushtarake të Kinës në rajon

Takimi i ministrave të Jashtëm të G7
Takimi i ministrave të Jashtëm të G7Fotografi: Yuichi Yamazaki/REUTERS

Më parë, vendet e G7 i kishin bërë thirrje Kinës që të respektonte rregullat ndërkombëtare. “Ne i kujtojmë Kinës nevojën për t’iu përmbajtur qëllimeve dhe parimeve të Kartës së OKB-së dhe për t’u përmbajtur nga përdorimi i kërcënimeve, shtrëngimit, frikësimit ose përdorimi i forcës,” u tha në deklaratën përfundimtare të takimit në Karuizawa, Japoni.

Ministrat e Jashtëm kritikuan qartë veprimet kineze në Detin e Kinës Jugore. “Nuk ka asnjë bazë ligjore për pretendimet detare ekspansioniste të Kinës në Detin e Kinës Jugore dhe ne dënojmë aktivitetet militarizuese të Kinës në rajon”, thanë ata në dokument. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha pas takimit se ishte arritur një marrëveshje e qartë, veçanërisht në lidhje me Tajvanin dhe Kinën.

Shqetësim për arsenalin bërthamor të Kinës

Sipas deklaratës, G7 ishte gjithashtu i shqetësuar për “zgjerimin e vazhdueshëm dhe të përshpejtuar të arsenalit bërthamor të Kinës dhe zhvillimin e sistemeve gjithnjë e më të sofistikuara të shpërndarjes”. Kinës iu kërkua që “të fillojë menjëherë diskutimet me SHBA për reduktimin e rreziqeve strategjike dhe promovimin e stabilitetit nëpërmjet transparencës më të madhe të politikës, planeve dhe aftësive bërthamore të Kinës”. SHBA i kushtojnë rëndësi të madhe mbajtjes së komunikimit me Kinën – pavarësisht bllokimit të fundit të bisedimeve, tha Blinkeni. Megjithatë, Pekini duhet të zbulojë qëllimet e tij.

Baerbock dhe Blinken
Fotografi: Kira Hofmann/photothek/picture alliance

G7 gjithashtu mbajti një qëndrim për situatën e të drejtave të njeriut në Kinë. U shpreh shqetësimi për shkeljet e të drejtave të njeriut në Tibet dhe provincën perëndimore të Xinjiang-ut. Qeveria qendrore e Kinës është akuzuar prej kohësh për shtypjen sistematike të ujgurëve myslimanë në Xinjiang.

Pavarësisht kritikave, vendet e G7 duan të bashkëpunojnë me Kinën për sfidat globale si ndryshimi i klimës. Ata janë të gatshëm të krijojnë “marrëdhënie konstruktive dhe të qëndrueshme përmes dialogut dhe të promovojnë rimëkëmbjen ekonomike globale dhe shkëmbimet mes njerëzve në një mënyrë reciproke të dobishme”, thuhet në deklaratë.

Përgatitje për samitin e G7 në Hiroshima

Ministri i Jashtëm japonez Yoshimasa Hayashi u shpreh i kënaqur me rezultatet e takimit të G7. Ishte “një sukses i madh” sepse “konfirmoi kundërshtimin tonë të fortë ndaj përpjekjeve për të ndryshuar statusquonë”, tha Hayashi, në sfondin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe vullnetit të Kinës për pushtet.

Grupi i shtatë vendeve ekonomikisht të forta përfshijnë, përveç Gjermanisë dhe Japonisë, Francën, Italinë, Kanadanë, Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe. Japonia aktualisht mban presidencën. Takimi në vendpushimin bregdetar të Karuizawas shërbeu gjithashtu si përgatitje për samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive të G7 që do të mbahet në maj në Hiroshima dhe ku do të shkojë edhe kancelari Olaf Scholz./DW

 

Fraksion.com