AktualitetBota+Të fundit

Aleatët e ish-presidentit Trump në Dhomën e Përfaqësuesve përshkallëzojnë luftën kundër prokurorit demokrat

Republikanët e indinjuar me aktakuzën ndaj zotit Donald Trump po përshkallëzojnë betejën ndaj prokurorit që ngriti akuzë penale ndaj ish- presidentit. Ata po përpiqen që ta vënë në pozitë të vështirë prokurorin Alvin Bragg duke e paraqitur në mënyrë të rreme qytetin e Nju Jorkut, ku ai shërben, si një vend të mbizotëruar nga krimi.

Komisioni Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve, i udhëhequr nga ligjvënësi republikan nga Ohajo Jim Jordan, po zhvillon një seancë dëgjimore të hënën në Nju Jork, pranë zyrave të Prokurorit të Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg.

Shumica republikane e komisionit thotë se takimi është shqyrtim i politikave të demokratëve që ata thonë se janë “pro krimit, kundër viktimave”. Anëtari tjetër republikan i komisionit, Andy Biggs, ligjvënës nga Arizona, shkroi në rrjetin social Twitter se prokurori Bragg “e ka kthyer qytetin e Nju Jorkut në një “shesh plehrash” dhe se “mungesa e ligjit është plotësisht jashtë kontrollit”.

Demokratët thonë se seanca synon të përforcojë zemërimin e konservatorëve ndaj zotit Bragg, prokurorit të parë afrikano-amerikan në Manhatan.

Zyrtarët e qytetit të Nju Jorkut i kanë kërkuar ligjvënësit Jordan që të anulojë seancën.

“Ky është një kontribut për fushatën e zotit Trump”, tha kryebashkiaku i Nju Jorkut, demokrati Eric Adams për televizionin amerikan CNN të premten.

“Është me të vërtetë për të ardhur keq që të përdoren paratë e taksapaguesve për të bërë teatër”.

Seanca dëgjimore e së hënës është pjesë e përpjekjeve disajavore të zotit Jordan për të përdorur fuqitë e tij në Kongres për të mbrojtur ish- presidentin Trump nga ajo që ai thotë se është një ndjekje e motivuar politikisht.

Ligjvënësi Jordan i ka dërguar letra prokurorit Alvin Bragg duke i kërkuar dëshmi dhe dokumente me pretendimin se zyra e tij është objekt i mbikqyrjes nga Kongresi pasi merr grante federale. Zoti Jordan i çoi thirrje për të dalë para Komisionit ish-prokurorit Mark Pomerantz, i cili më parë kishte mbikqyrur hetimin mbi zotin Trump.

Zoti Bragg e paditi ligjvënësin Jordan javën e kaluar në përpjekje për të bllokuar thirrjen, duke e quajtur atë një “sulm të paskrupullt dhe antikushtetues” dhe një “fushatë të hapur për ta frikësuar” atë në lidhje me çështjen e ish-Presidentit Trump. Për këtë një gjykatës federal caktoi një seancë fillestare për të mërkurën.

Sulmi ndaj qytetit të Nju Jorkut lidhur me krimin dhe udhëheqësve të tij kryesisht demokratë, është një taktikë e vjetër për politikanët që përfaqësojnë zonat rurale dhe periferike. Është një goditje që mund të ketë ndikim tek disa, megjithëse në realitet shkalla e krimit të dhunshëm të qytetit mbetet nën mesataren e SHBA-së.

Në vitin 2022, viti i parë i zotit Bragg në detyrë, pati 78 vrasje në Manhattan, zonë kjo me 1.6 milionë banorë. Kjo ishte një rënie prej 15 për qind nga një vit më parë. Ndërkohë qarku Palm Beach në Florida, ku zoti Trump është një nga rreth 1.5 milionë banorët, pati 96 vrasje.

“Njerëzit dëgjojnë emrin e Nju Jorkut dhe mendja u shkon tek krimi sepse është ushtruar ndikim mbi ta që të mendojnë në atë mënyrë”, thotë Dr. Jeffrey Butts, Drejtor i Qendrës për Studime dhe Vlerësime tek Kolegji John Jay për Drejtësi Penale në Manhatan.

“Nuk është e vërtetë. Këto janë thjesht histori që njerëzit duan të tregojnë.”

Për prokurorin Bragg, sulmet nga republikanët e madje edhe nga disa demokratë, nuk janë diçka e re.

Zoti Bragg është arsimuar në Harvard. Ka qenë prokuror federal, më pas zëvendëskryeprokuror i përgjithshëm i shtetit dhe avokat i të drejtave civile. Ai fitoi zgjedhjet paraprake në Partinë Demokratike për postin dhe më pas arriti fitoren me 83% të votave në zgjedhjet e përgjithshme.

Menjëherë pas marrjes së detyrës, zoti Bragg shkroi një memorandum të brendshëm që, ndër të tjera, thoshte se zyra e tij nuk do të ndiqte penalisht disa kundërvajtje të nivelit të ulët.

Në fillim kjo shkaktoi disa përplasje me udhëheqjen e Departamentit të Policisë së Nju Jorkut dhe gjithashtu tërhoqi vëmendjen e republikanëve jashtë qytetit, të cilët shpejt e kthyen zotin Bragg në një figurë qëndrore të politikave të demokratëve që ata thonë se janë tolerante ndaj krimit.

Republikani Lee Zeldin, i cili në atë kohë përfaqësonte qarkun Long Island në Kongres, zonën lindore të Nju Jorkut, e bëri prokurorin Bragg pikë qendrore të fushatës së tij për guvernator, duke premtuar vazhdimisht se do ta largonte nga detyra ndonëse ai ishte zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga publiku.

Zoti Zeldin humbi zgjedhjet, por retorika e tij rreth krimit bëri jehonë në periferi, duke ndihmuar republikanët të mposhtin demokratët në disa zona kyçe në Nju Jork.

Nju Jorku, në fakt, nuk ishte imun ndaj rritjes mbarëkombëtare e krimit që ndodhi gjatë pandemisë COVID-19. Shumica e kategorive të krimit në qytet janë ende mbi nivelet e vitit 2019. Disa lloje krimesh, përfshirë vjedhjet, vjedhjet e makinave dhe sulmet, u rritën në Manhattan gjatë vitit të parë të zotit Bragg në detyrë, megjithëse ato kanë rënë përsëri këtë vit.

Pavarësisht se seanca e Komisionit të Kongresit përqëndrohet tek prokurori Bragg, Komisioni Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve nuk e ka ftuar atë të dëshmojë dhe as nuk pritet të marrë pjesë dikush nga zyra e tij. Në vend të kësaj, komisioni po planifikon të dëgjojë të paktën gjashtë dëshmitarë.

Midis tyre: Jose Alba, ish-shitës i një dyqani, i arrestuar pasi goditi me thikë një sulmues për vdekje në dyqanin e tij. Zyra e zotit Bragg i rrëzoi akuzat, por kritikët thonë se ai duhet t’i kishte hedhur poshtë ato më shpejt. Tjetër dëshmitare që po merr pjesë në këtë seancë është dhe Madeline Brame, e cila e fajëson prokurorin Bragg se kërkoi dënime me burgim të gjatë vetëm për dy nga katër personat e përfshirë në vrasjen e djalit të saj; dhe Jennifer Harrison, një avokate viktimash, i dashuri i së cilës u vra në New Jersey më 2005, ndonëse vrasja u krye jashtë juridiksionit të zotit Bragg dhe shumë kohë përpara se ai të merrte detyrën.

Ekipi zgjedhor i zotit Bragg u dërgoi një email mbështetësve të premten duke e quajtur seancën si një “mashtrim të motivuar politik”. Ligjvënësi demokrat i Nju Jorkut, Jerrold Nadler që është pjesë e Komisionit Juridik, i tha gazetës Gothamist se seanca është “një sulm ndaj sistemit tonë të drejtësisë”.

Të dielën, udhëheqësi i shumicës në Senat, demokrati Chuck Schumer, e quajti seancën e planifikuar “një cirk”.

Që nga marrja e pushtetit në Dhomën e Përfaqësuesve, republikanët kanë ndërmarrë një axhendë gjithëpërfshirëse mbikëqyrëse mbi administratën e Presidentit Joe Biden, familjen e tij dhe funksionimit të qeverisë federale.

Ndërsa mbikqyrja është funksion kyç i Kongresit, hetimet e gjera të Partisë Republikane tek Dhoma e Përfaqësuesve shpesh kanë krijuar më shumë zhurmë sesa substancë. Komisioni i udhëhequr nga ligjvënësi Jordan dhe komisionet e tjera kanë qenë të ngadalshëm në nxjerrjen e gjetjeve që mbështesin akuzat dhe ndonjëherë kanë devijuar në teori konspirative./voa

 

Fraksion.com