Irlandë: Lufta në Ukrainë ngjall debate për neutralitetin
A e dini se Irlanda ka nevojë për leje nga Rusia, Kina, Franca, SHBA-ja dhe Britania e Madhe nëse dëshiron të dërgojë më shumë se 12 ushtarë në një zonë luftimi? Irlanda është ushtarakisht neutrale dhe vepron në kuadrin e një sistem “bllokimi të trefishtë”, i cili parashikon edhe miratimin e një rezolute të detyrueshme nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.
Por në kushtet e pushtimit të Ukrainës nga Rusia politikanët irlandezë këmbëngulin se ky neutralitet ushtarak nuk do të thotë se vendi është politikisht ose moralisht neutral.
Irlanda e ka mbështetur ushtarakisht Ukrainën me 122 milionë euro për ndihma jovdekjeprurëse si karburant, ushqime, pajisje mjekësore apo pajisje mbrojtëse. Autoritetet kanë ngarkuar gjithashtu 30 anëtarë të Forcave Irlandeze të Mbrojtjes që të ofrojnë trajnime të specializuara për ushtarët ukrainas gjatë një misioni të parë të këtij lloji të Bashkimit Evropian.
Por kjo mbështetje e gjerë për Kievin ka ndezur tani debate edhe në Dublin. Sikurse në vendet e tjera neutrale në Evropë, lufta ka nxitur reflektime rreth politikave të ndjekura prej shumë kohësh.
Përfitim prej pozitës së favorshme gjeografike
“Pozicioni në përgjithësi i mirë gjeografik i Irlandës do të thotë se ne nuk na duhet të përballemi me dilemat e sigurisë me të cilat dahet të përballen vendet afër Rusisë,” thotë për DW Brigid Laffan, ish-profesore në Institutin Universitar Evropian.
Irlandezët janë të rrethuar prej vendesh aleatëve: në perëndim përtej Atlantikut, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara – dhe në veri dhe lindje, Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian. Laffan thotë se kjo do të thotë se “psikologjikisht, irlandezët nuk ndihen të kërcënuar”.
A po rrezikohet neutraliteti i Irlandës?
Irlanda ka qëndruar prej kohësh larg konflikteve jashtë vendit dhe ishte zyrtarisht neutrale edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë trupat irlandeze janë angazhuar në disa misione paqeruajtëse të OKB-së.
Në një fjalim që mbajti së fundi para deputetëve në Dublin Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e vlerësoi Irlandën për krijimin e “një besueshmërie ndërkombëtare si paqeruajtëse” dhe për ruajtjen e “një autoriteti moral me kombe në mbarë botën”.
Por Lidhja Irlandeze e Neutralitetit, një grup aktivistësh i krijuar pas pushtimit rus të Ukrainës, thotë se potenciali diplomatik i Irlandës si një ndërtues paqeje po komprometohet. Parlamentari Paul Murphy i partisë “Njerëzit përpara Fitimit” – e cila e konsideron veten si “eko-socialiste” – ndihmoi për krijimin e grupit, sepse sipas tij, “neutralitetii vendit është në rrezik”.
Murphy dhe anëtarë të tjerë të grupit Lidhja Irlandeze e Neutralitetit e kundërshtojnë qëndrimin e qeverisë irlandeze për të përfshirë Forcat irlandeze të Mbrojtjes në misionin e trajnimit ushtarak të BE-së për Ukrainën. Po ashtu ata kritikojnë edhe zyrtarët irlandezë që morën pjesë në takimet e “Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës”, të krijuar nga ministri i Mbrojtjes i SHBA-së Lloyd Austin, grup i cili do të koordinojë ndihmat ushtarake të rreth 50 vendeve për Kievin. Deputeti Murphy mendon se këto veprime minojnë neutralitetin irlandez.
Murphy thotë se mbështetja publike për neutralitetin vazhdon të jetë e fortë, sikurse dëshmuan edhe sondazhet e “Irish Times” dhe “Ipsos” të prillit 2022, ku dy të tretat e të anketuarve mbështetën qëndrimin neutral të vendit.
‘Jo neutrale, thjesht e pambrojtur’
Por parlamentari i pavarur dhe ish-ushtari, Cathal Berry, mendon se neutraliteti është përdorur si justifikim për politikën naive të mbrojtjes. “Ne as nuk e kuptojmë se sa të pambrojtur dhe të ekspozuar jemi”, thotë ai për DW. “Unë nuk mendoj se ne nuk jemi neutralë, por jemi thjesht të pambrojtur.”
Irlanda kishte në vitin 2021 shpenzimet më të ulëta për mbrojtjen nga të gjithë vendet anëtare të BE-së: vetëm 0.2% të PBB-së, krahasuar me 1.3% që ishte mesatarja e vendev të tjera. “Irlanda nuk ka asnjë detyrim automatik që të dërgojë trupa për të ndërhyrë në ndonjë vend tjetër,” thotë Berry. “Por gjithashtu nuk ka asnjë detyrim automatik për asnjë vend që t’i vijë në ndihmë Irlandës, nëse ne përballemi me vështirësi.”
Pavarësisht distancës gjeografike prej kundërshtarëve të mundshëm, sulmi kibernetik ndaj shërbimit shëndetësor të Irlandës në vitin 2021 nxori në pah dobësitë e vendit. Po ashtu edhe kabllot nënujore të të dhënave që kalojnë pranë brigjeve të Irlandës përbëjnë gjithashtu një burim shqetësimi.
Debat për qëndrimin neutral të vendit
Prandaj në vazhdën e luftës në Ukrainë qeveria irlandeze dëshiron të nisë një debat për qëndrimin neutral të vendit. Zëvendëskryeministri i vendit, Micheal Martin, njoftoi së fundi për planet për zhvillimin e një “Forumi Konsultativ mbi Politikën Ndërkombëtare të Sigurisë” që do të mbahet më 9 qershor.
“Ne pamë se si Rusia shpërfilli hapur dhe brutalisht të drejtën ndërkombëtare dhe arkitekturën e sigurisë kolektive të Evropës … dhe politika jonë tradicionale e neutralitetit ushtarak nuk na mbron nga nevoja për t’iu përgjigjur këtij realiteti të ri,” tha Martin duke shtuar se “ne duhet diskutojmë seriozisht dhe me sinqeritet rreth mundësive të politikave ndërkombëtare të sigurisë që kemi në dispozicion.”
Profesorja Brigid Laffan mendon se ndryshimi po ndodh, por sipas saj rezultati do të jetë më shumë një evolucion sesa një kthesë 180 gradëshe.
“Ne nuk do të kemi kurrë një ushtri shumë të madhe dhe nuk parashikoj që ne do t’i bashkohemi NATO-s,” thotë ajo. “Por unë parashikoj që ne do të modernizojmë konceptet tona të sigurisë – sepse ne jemi anëtarë të Bashkimit Evropian, i cili pavarësisht nëse duam apo jo, do të bëhet një aktor më i rëndësishëm i sigurisë.”/DW
Fraksion.com