AktualitetPolitikëTë fundit

“Ministrat me nga një lopatë si skllevër të Edit”, Berisha: Rrjetet sociale gumëzhijnë për kandidatët tanë!

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se Edi Rama është rrudhur me nomenklaturën e tij mafioze. Duke komentuar hapjen e fushatës së PS, Berisha tha se ministrat me nga një lopatë në dorë dukeshin si skllevër të Edit.

Sa i përket kandidatëve të koalicionit “Bashkë fitojmë”, ai tha se rrjetet sociale gumëzhijnë për ta dhe kanë një epërsi të mahnitshme.

“E dyta, tani përveç poll-eve, të cilat imagjinoni ju tani të mos citoj unë pronarët e mediave, por i merrni vetë me mend se sa të çmendur janë ata pas parasë, ose drejtorët e televizioneve. Kjo është një anë. Por ka një poll tjetër, që askush nuk e manipulon dot. Ky është polli, analiza që iu bëhet rrjeteve sociale. Facebook-ut, Instagram-it, Google dhe rrjeteve të tjera. Ato po gumëzhijnë për Belind Këlliçin, Bardh Spahinë, Igli Carën, Luçiano Boçin, Ledina Aliollin dhe me radhë të gjithë kandidatët tanë. Kanë një epërsi të mahnitshme në të gjitha rrjetet pa censurë. Janë ato që kanë paralajmëruar në mënyrë të vazhdueshme fitoren e kandidatëve kudo, nga SHBA-të në Kosovë, kjo është e vërteta.
Pra, këtë klimë të paparë ndonjëherë që nga viti 1992, i ftoj të gjithë shqiptarët ta kurorëzojnë me një manifestim madhështor si prelud i fitores sonë të ardhshme, nesër në orën 12:00 në arenën e Tiranës Air Albania e cila në fakt ajo duhet të ketë vetëm një emër Arena e Lirisë. Sepse aty nisi procesi i Rithemelimit, nisi udhëtimi që kurorëzohet nesër me një hapje, me një manifestim popullor të shkëlqyer dhe duhet ta dini që në të gjitha metropolet e mëdha po flitet për fushatën tonë. Po parashikohet fitorja e koalicionit të PD-së. Edhe ata që kanë qenë më skeptikë detyrohen tani ta shqiptojnë madje dhe publikisht”, deklaroi Berisha.

 

 

Ai tha se ka një epërsi të pakrahasueshme të opozitës. “Edi Rama është rrudhur me nomenklaturën e tij mafioze. A i vutë re ju, në hapje të fushatës se si ishin ai dhe ministrat e tij të nxirë. Me nga një lopatë në dorë dukeshin si skllevër të Edit. Me nga një rrënjë peme që donin të mbulonin vjedhjen e tmerrshme të fondeve të 1 mln fidanëve nga Erion Veliaj. Nuk ka parë ndonjëherë Shqipëria fushatë të zbrazët, vulgare, të shpëlarë, si kjo që ka nisur me tallavanë e tij Edi Rama”, deklaroi Berisha.

 

Fraksion.com