Kosova dhe Mali i Zi me marrëveshje për shërbime ajrore
Kosova dhe Mali i Zi kanë nënshkruar marrëveshje për shërbime ajrore, që mundëson shkurtimin e kohës së udhëtimeve dhe synon të ulë çmimet e biletave për udhëtarët.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje u bë gjatë vizitës në Kosovë të kryeministrit me mandat teknik të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Abazoviq tha në një konferencë për media, se kjo marrëveshje është në kuadër të disa projekteve të dy qeverive, që synojnë të përmirësojnë atmosferën rajonale të bashkëpunimit.
“Ideja jonë ishte që të krijonim një qasje më të lehtë për qytetarët e të dyja vendeve. Nëse krijojmë një mobilitet, një qasje më të lehtë edhe shkëmbimi i mallrave, njerëzve edhe bizneseve do të jetë shumë më intensiv dhe kjo do të krijojë një atmosferë shumë më të mirë rajonale”, tha Abazoviq, duke shtuar se në takim me Kurtin kanë biseduar edhe për projekte të tjera infrastrukturore, që do të përmirësonin lidhjen mes dy shteteve.
Ndërkaq, Kurti tha se marrëveshja e nënshkruar për shërbime ajrore ishte “një hap sa i rëndësishëm, po aq i domosdoshëm” për rregullimin e hapësirës ajrore mes dy shteteve.
“Marrëveshja që nënshkruam sot ofron mundësi të reja të zhvillimit të aviacionit civil, mundëson shkurtimin e rrugëve ajrore e të kohës së fluturimit për 15 minuta. Një kompani ajrore, që ka fluturuar katër herë në ditë, me këtë marrëveshje lehtësisht mund ta shtojë edhe një fluturim. Pastaj, zvogëlon emetimin e gazrave të dëmshme si dhe ul koston e fluturimeve, që ndikojnë në çmim të biletave për udhëtarët”, tha Kurti.
Ai shtoi se marrëveshja mundëson që korridoret ekzistuese ajrore mes Kosovës dhe Malit të Zi, që deri më tani janë shfrytëzuar për fluturime ushtarake të NATO-s, të përdoren edhe për aviacionin civil.
Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës menaxhon hapësirën e ulët ajrore të shtetit, ndërkaq hapësira e lartë – mbi 6.200 metra – është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it. Kjo për faktin se Kosova ende nuk ka kapacitete të duhura për të menaxhuar hapësirat e larta ajrore.
Gjatë konferencës së përbashkët për media, Abazoviq tha se shteti i tij do të përkrahë Kosovën në aplikimet për anëtarësim në organizata dhe mekanizma ndërkombëtarë dhe theksoi se pavarësisht se ka pasur “disa procese politike” në shtetin e tij, politika zyrtare e Malit të Zi karshi Kosovës nuk do të ndryshojë.
Abazoviq duket se iu referua zgjedhjes së Jakov Millatoviqit në postin e presidentit, i cili edhe vetë ka deklaruar se nuk do të ketë tërheqje të njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Mali i Zi ka njohur pavarësinë e Kosovës disa muaj pasi autoritetet në Prishtinë e shpallën atë më 2008.
Fraksion.com