“Kanë nxjerrë Suden e rradhës!”, Veliaj: Zall-Bastari vetëm 30 minuta larg Tiranës
Kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës dhe drejtuesi i Partisë Socialiste për qarkun, Erion Veliaj, zhvilloi një takim me banorët e Zall-Bastarit, me të cilët bisedoi se si kjo zonë, thuajse e izoluar 8 vjet më parë, sot po merr njësoj investime si në qendër të Tiranës.
Veliaj, i cili rikandidon për mandat tjetër si kryebashkiak i Tiranës në zgjedhjet e 14 majit, veçoi faktin se këto investime janë shtrirë deri në cepin më të largët, duke ofruar shërbimet e munguara, që nga infrastruktura rrugore, e deri te shkolla e re dhe tregu i ri agroushqimor, që do t’u vijë në ndihmë fermerët e zonës.
Veliaj tha se të gjitha këto vijnë falë bashkëpunimit me qeverinë, e cila po ashtu ka sjellë qendrën e re shëndetësore në Zall-Bastar, por edhe aksin nacional të Rrugës së Arbrit.
“Ka ende njerëz që thonë: “Paska shkuar deri në Zall-Bastar!” Por, sot Zall-Bastari është vetëm 30 minuta nga dalja e Tiranës, sepse bashkë me qeverinë ne ndamë punën: Qeveria bëri Rrugën e Arbrit, deri te degëzimi në Zall-Dajt, kurse ne bëmë rrugën e Zall-Bastarit, prandaj sot vjen këtu për 30 minuta. Me ilustrimin që sapo bëra, tregojmë se me këtë bashkëpunim të jashtëzakonshëm mund t’i çojmë gjërat akoma më përpara. Ja ku jemi sot, në një nga hapësirat më të bukura, në qendër të fshatit, qoftë për një aktivitet, për një panair apo festë. Duhet të vini të takoni njerëz të mirë, ajër të pastër, keni ushqime bio dhe gjeni një realitet totalisht të transformuar”, u shpreh Veliaj.
Veliaj tha se ndihet mjaft krenar për të gjitha këto investime, për të cilat sot vjen me kokën lart përpara banorëve të Zall-Bastarit.
“Do e kisha shumë siklet të vija këtu nëse s’do e kisha mbajtur fjalën për rrugën e re apo për tregun. Do isha shumë në hall nëse s’do e kishim mbaruar shkollën. Do isha për turp sot, nëse s’do kishte mbaruar qendra shëndetësore dhe do e kisha me shumë sëkëlldi të vija nëse nuk do të kishin filluar punimet e urës në Fezaj, ashtu siç kishim premtuar, dhe po u premtoj sot, ura do të mbarojë përpara afatit – e ka afatin në tetor, ne do e mbarojmë përpara se të vijë vera,” theksoi Veliaj.
Kandidati i PS për Bashkinë e Tiranës tha gjithashtu se halli i opozitës është se nuk kalojnë dot në Rinas, sepse janë shpallur ‘non-grata’.
“Ai [Berisha] thotë, ‘unë kam hall se nuk shkoj dot në Rinas, nuk më japin vizë amerikane, jam non-grata, s’më takon njëri, kam ngelur tek-pull’. E keni parë si del, si i çmendur në televizor? Kush e mban mend Suden, edhe Sudja falas thoshte. Ju kujtohet Sudja, kur dilte te rruga e Elbasanit, te kati -1? ‘Mbaroi’ tha Sudja, ‘s’ka më falas’. Mbaroi pra, mbaroi. Se i futën njerëzit lekët në fajde se u tha Saliu i keni të sigurta te Sudja. Tani vjen një Sude tjetër: njëherë vjen Sudja duke fjetur gjumë, njëherë vjen si kandidat për bashkinë, por është e njëjta Sude. Ju kujtohet çfarë kishte falas qeveria e tyre në Bashkinë e Tiranës? Tortën e Pavarësisë. Vetëm ajo ishte falas. E shohin shtetin si ato hordhitë, ta kapim, ta marrim. Ç’a do marrësh? Shteti, bashkia, qeveria, këshilli, janë për të bërë punë, jo për të ndarë tortë. Janë që Shqipëria të ecë përpara, Tirana të ecë përpara, Zall-Bastari të ecë përpara”– u shpreh Veliaj.
Fraksion.com