“Ku i gjen paratë për fushatë?”, Berisha: Na financon fryma e fitores. 2 mln dollarë u grabitën nga veglat e Ramës! Akt i turpshëm
Ish-kryeministri Sali Berisha e konsideron të turpshëm faktin se paratë e buxhetit të shtetit për partitë politike, si fondet vjetore edhe ato për zgjedhjet vendore, i kalojnë Partisë Demokratike zyrtare.
Berisha tha se paratë e 620 mijë votuesve të PD-së do t’i përdoren ata që janë peng i Ramës.
“Një nga aktet më të turpshme, më të shëmtuara është se mundi, djersi dhe taksat e 620 mijë qytetarëve që votuan PD-në, grabiten nga një grup, pengje të Edi Ramës. Jo pak, por janë 2 milionë dollarë, 1 milionë dollarë është vetëm fushata. Përfaqësuesit e 620 mijë votuesve nuk marrin asnjë qindarkë. Kjo tregon fytyrën e shëmtuar të këtij regjimi. Ky tregon keqpërdorimin e dyshes famëkeqe Alibasha-Brava. Por asgjë nuk e pengon PD-në. Ajo do financohet nga kontributet vullnetare të anëtarëve të saj. Së shpejti do njoftojmë një rregullore për përballimin e fushatës. PD-në po e financon fryma e fitores. Ka një frymë fitoreje kudo që shkon.
Ju e shihni se Erion Veliaj ngarkon në furgona punonjës të policisë dhe përgatit takimet vetëm me punonjës të bashkisë.
Edi Rama e hapi fushatën vetëm me nomenklaturën e tij të korruptuar, se edhe ai ka frikë nga qytetarët.
Pra, janë në një dëshpërim të thellë. Forca politike e idealeve të lirisë, e transformimeve epokale të Shqipërisë është në një ngjitje vertikale. Janë të pashpresë.”, tha Berisha.
Fraksion.com