AktualitetPolitikëTë fundit

Akuzat e Berishës për atentatin në Vaun e Dejës, Balla: Të bëjë denoncim nëse ka emra, ndryshe….

Akuzat e ish-Kryeministrit Sali Berisha që mazhoranca është e përfshirë në atentatin që iu bë Benard Ndrecës, kreut të ‘Rithemelimit’ në Vaun e Dejës, Partia Socialiste i konsideron absurde. Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, e sfidoi Berishën që të bënte denoncimin nëse ka prova. Ai e lidhi sjelljen e Berishës me akuzat që bënte edhe për vrasjen e Azem Hajdarit por që rezultoi ndryshe më vonë.

“Para pak minutash foltorja u bë pis, siç ka ndodhur që prej vitit 1997, kur Berisha është rikthyer në këtë sallë. E ka bërë pis, vazhdon ta bëjë dhe më shumë prej 19 majit 2021 kur SHBA e shpalli non-grata.

Më lejoni që të jap një konstatim, se sa herë që ndodh një ngjarje, i pari që del të bëjë denoncuesin, prokurorin, policin, është Berisha. E ka bërë këtë në të gjitha rastet. Edhe në 12 shtator 98-ës, që sapo kishte ndodhur një ngjarje e rëndë, doli dhe ngriti akuzën. Asokohe akuzonte kryeministrin e asaj kohe, Fatos Nanon dhe faktet treguan se ishte komplet një histori tjetër.

Ky personi që bën akuzuesi ishte një ndër personat e lidhur që e qiti mikun e tij, bashkëpunëtorin e tij në pritë. Përgëzoj ministrin e Brendshëm që nuk u përfshi në një përgjigje. se përgjigjen duhet ta japin institucionit. Ka ndodhur një ngjarje në Vaun e Dejës, ajo duhet hetuar, por nuk e bën politika policin dhe prokurorin. E sfidoj Berishën, ka një nen në kodin penal që moskallëzimin e krimit dënohet. Zotëria tha se ka emra, të shkojë t’i çojë në prokurori, Por nëse s’i kallëzon dënohet. Nëse s’keni prova, prini dhe mbyllni gojën se mund të ketë gjëra që si dihet.”, tha Balla.

 

Fraksion.com