Sulmi ndaj kreut lokal të PD-së, deputetët e Komisionit të Sigurisë nisen drejt Vaut të Dejës
Deputetët e Komisionit të Sigurisë, Eduard Noka, Ervin Salianji, Isuf Çelaj dhe Lindita Metaliaj janë nisur drejt Vaut të Dejës, për t’u takuar me kreun lokal të PD-së, që u sulmua me tritol një ditë më parë.
Deputetët do të takohen me Benard Ndrecën, i cili thotë se tritoli që shpërtheu në mjetin e tij është vënë për qëllime politike.
Në orët e para të së martës, dy persona të maskuar vendosën një sasi prej 30 gram lëndë plasëse në makinën e kreut të PD, Benard Ndreca. Tritoli u aktivizua sapo Ndreca nisi të ngasë mjetin.
Ai shpëtoi pa lëndime, ndërsa për ngjarjen janë pyetur deri më tani në polici gjashtë persona.
Atentati ndaj kreut të PD-së Benard Ndreca ishte sulmi i dytë me tritol në Vaun e Dejës, pasi më 5 mars, lënda plasëse iu vendos edhe zyrave të OSHEE, sinjale këto që fushata elektorale në këtë bashki, mund të jetë e tensionuar.
Fraksion.com