AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Fushata jonë me sa më pak zhurmë dhe sa më shumë komunikim dhe njerëzillëk

Kryeministri, njëherësh kreu i PS-së Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale fotoalbumin e nisjes së fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit me mbjelljen e pemëve.

Rama shprehet se rrugëtimin e gjelbër drejt 14 majit, falë shkurtimit të shpenzimeve për propagandë elektorale do të financojnë dhurime pemësh në çdo bashki.

Kreu i PS-së thekson se këtë fushatë zgjedhore do e kthejnë në të parën fushatë që do të lërë pas më pak ndotje mjedisore, akustike e vizuale dhe më shumë oksigjen në stacionet e saj.

Gjatë fjalës së tij një ditë më parë nga sheshi “Europa” në kryeqytet nga ku dhe nisi fushata për gjelbërimin e bashkive me praninë e 61 kandidatëve për kryebashkiakë, Rama theksoi se “ne s’kemi arsye as për ndotje akustike, as për ndotje vizuale për të qenë në çdo cep, në çdo kthesë me fytyrat dhe me sloganet tona dhe as për ndotje gjuhësore”.

“Ne duhet të bëjmë një fushatë me sa më pak zhurmë dhe sa më shumë komunikim dhe njerëzillëk. Prandaj kemi vendosur ta përgjysmojmë minimalisht përdorimin e ekraneve të mëdha të skenave pompoze, të materialeve propagandistike”, nënvizoi Rama.

Gjithashtu, Kryeministri është shprehur se realizimi i vizionit “Shqipëria 2030” është detyrim ndaj brezave që vijnë.

 

Fraksion.com