AktualitetRajoniTë fundit

Gjukanoviq kërcënohet me rrënimin e shtëpive të tij në vendlindje

Dy ditë pasi humbi zgjedhjet presidenciale më 2 prill, Inspektorati Ndërtimor i Ministrisë së Ekologjisë dhe Urbanizmit në Mal të Zi urdhëroi Millo Gjukanoviqin që brenda 20 ditësh të rrënojë dy shtëpi të ndërtuara ilegalisht në pronën e familjes në fshatin Koçan, jo larg qytetit të Nikshiqit.

Gjukanoviq ka mbajtur poste udhëheqëse shtetërore për më shumë se tri dekada. Në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 2 prill, ai është mposhtur nga Jakov Millatoviq nga Lëvizja Evropa tash.

“Objektet janë ndërtuar në kundërshtim me planin e vlefshëm hapësinor-urban të Komunës së Nikshiqit. Nëse Gjukanoviq nuk i rrënon në afatin e paraparë, atë do ta bëjë shteti me shpenzimet e tij”, thuhet në vendimin e Ministrisë, të datës 4 prill, të publikuar në llogarinë në Facebook të Lëvizjes Qytetare URA.

Ministrinë e udhëheq një zyrtare e kësaj partie, Ana Novakoviq Gjuroviq.

Udhëheqësi i Lëvizjes URA dhe kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë më 5 prill se vendimi për rrënimin e objekteve të Gjukanoviqit, nuk ka të bëjë me zgjedhjet.

“Inspektorati duhet të veprojë në përputhje me ligjin dhe pyetja për Gjukanoviqin është: përse ka ndërtuar ilegalisht”, është shprehur Abazoviq.

Ai ka thënë se Gjukanoviq i ka 20 ditë kohë për t’i rrënuar objektet ilegale.

“Të mos dalim në terren e t’i prishim. Ai e ka mundësinë që t’i heqë vetë ato, si një qytetar i përgjegjshëm”, ka thënë Abazoviq.

Millosh Nikolliq, nga Partia Demokratike e Socialistëve e Gjukanoviqit, e ka cilësuar paralajmërimin për shembje si dhunë institucionale dhe hakmarrje e “një kryeministri të dështuar”.

Objektet e Gjukanoviqit në fshatin Koçani, afër Nikshiqit.
Objektet e Gjukanoviqit në fshatin Koçani, afër Nikshiqit.

Avokatja e Gjukanoviqit: Një shembull i dhunës ligjore

Vendimi që urdhëron Gjukanoviqin t’i rrënojë dy objekte është një shembull flagrant i dhunës ligjore, i bazuar në deklarata të pasakta dhe jo të plota, thotë përfaqësuesja ligjore e tij, Neda Ivoviq.

Në një përgjigje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, ajo thotë se në vitin 2018, në Komunën e Nikshiqit është dorëzuar kërkesa për legalizim. Sipas saj, objektet dhe prona janë trashëgimi familjare, që datojnë nga fillimi i shekullit 20.

Ivoviq thotë se Gjukanoviq do t’i shfrytëzojë mjetet juridike dhe do t’i fillojë procedurat penale dhe civile për mbrojtjen e të drejtave.

Objektet e Gjukanoviqit në Koçan, jo larg Nikshiqit

Në vendimin e datës 4 prill thuhet se Inspektori i Ndërtimit ka paralajmëruar shkuarjen e tij në pronën e Gjukanoviqit, por se porta ka qenë e mbyllur. Vendimin për rrënim e ka shkruar më vonë, bazuar në të dhënat kadastrale.

Sipas Planit Hapësinor Urbanistik të Nikshiqit, objektet janë të vendosura në brezin e gjelbër, ku nuk lejohen ndërtesa banimi.

Në vitin 2019, Gjukanoviq ka raportuar në Regjistrin e Pronës se ka në pronësi tri parcela prej gati 1 mijë e gjysmë metrash katrorë në Nikshiq dhe se në më të madhen prej tyre zotëron dy ndërtesa njëkatëshe, prej 30 dhe 40 metrash katrorë.

Pamjet tregojnë objekte të mirorganizuara, funksionale dhe shumë më të mëdha seç është raportuar.

Siç mund të shihet nga pamjet, pasuria e familjes Gjukanoviq është e rrethuar në tërësi dhe ndërtesat lidhen me njëra-tjetrën me shtigje betoni.

Sipas të dhënave të Administratës së Pasurive të Paluajtshme, një objekt ka një sipërfaqe prej 270 metrash katrorë dhe tjetri 63.

Përveç kësaj, sipas Rrjetit për Hulumtimin e Krimit dhe Korrupsionit – LUPA, në pjesën e njërës pronë, Gjukanoviq ka uzurpuar dy parcela të tokës në pronësi të shtetit dhe ka ndërtuar një mur mbi to.

Një lëvizje marketingu e Qeverisë së Abazoviqit

Koha kur është publikuar paralajmërimi për rrënim, tregon se qëllim nuk është shtypja e ndërtimeve pa leje, por një “lëvizje marketingu” që dikush mendon se do t’i sjellë pikë politike, thotë aktivisti qytetar, Vuk Marash, për Radion Evropa e Lirë.

“Nga të gjitha ato për të cilat Gjukanoviq dyshohet në tri dekadat e fundit, mendoj se mëkati i tij më i vogël është ndërtimi i paligjshëm”, thotë ai.

Marash thotë se në veprimet e Qeverisë së Abazoviqit ka përzgjedhje.

“Dora e tij e drejtësisë nuk do të arrijë kurrë në Krimovicë dhe te Marko Bato Careviq dhe zyrtarë të ngjashëm, të afërt me Qeverinë ekzistuese”, thotë Marash.

Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Marko Bato Careviq është një zyrtar i partisë Fronti Demokratik, të cilin qendra hulumtuese malazeze MANS e ka akuzuar për uzurpimin e rreth gjysmë milioni metra katrorë tokë shtetërore në Krimovicë, afër Budvës.

Për këtë, Careviq nuk është ndjekur penalisht, por është zgjedhur kryetar i Komunës së Budvës.

“Mesazhi më i mirë dërgohet kur filloni të pastroni shtëpinë tuaj dhe më pas të dikujt tjetër. Por, padyshim, këtu ka selektivitet”, thotë Marash.

Sipas tij, i gjithë rasti me Gjukanoviqin është pjesë e një fushate politike që bëhet përpara zgjedhjeve parlamentare, të planifikuara për datën 11 qershor.

Disa kallëzime kundër Gjukanoviqit

Viteve të fundit, kundër Gjukanoviqit janë ngritur disa kallëzime penale, të cilat janë hedhur poshtë.

Ndaj tij, MANS-i ka ngritur akuza për shpërdorim të pronës shtetërore për qëllime private dhe mosdeklarim të pasurisë.

Një prej tyre ka qenë financimi i fushatës për Partinë Demokratike të Socialistëve, në vitin 2016, kur dyshohet se është krijuar një skemë për të injektuar para me origjinë të panjohur në llogaritë zyrtare të partisë.

Gjithashtu, në tetor të vitit 2021, MANS-i ka njoftuar se dokumentet nga afera “Letrat e Panamasë” tregojnë se Gjukanoviq dhe djali i tij kanë lidhur kontrata sekrete për menaxhimin e aseteve të tyre, duke u fshehur pas një rrjeti të komplikuar të kompanive të lidhura nga Britania e Madhe, Zvicra, Ishujt e Virgjër Britanikë, Panamaja dhe Gjibraltari.

Në të njëjtin muaj, Prokuroria Speciale e Shtetit të Malit të Zi ka marrë një deklaratë nga Millo Gjukanoviqi dhe ka marrë në pyetje djalin e tij, Bllazho.

Rreth 100.000 ndërtime pa leje në Mal të Zi

Numri i ndërtimeve pa leje në Mal të Zi është rreth 100.000. Sipas vlerësimeve të Qeverisë, shumica gjendet në vendbanimet periferike të Podgoricës dhe në bregdet, por të dhëna përfundimtare dhe të sakta për to nuk ka.

Në raportin e fundit vjetor të Ministrisë së Ekologjisë dhe Urbanizmit në Mal të Zi thuhet se janë paraqitur gati 55 mijë kërkesa për legalizim, por se deri në fund të vitit 2021 janë marrë pak më shumë se 2 mijë vendime për legalizim.

Në mesin e ndërtuesve të paligjshëm është edhe Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi.

Në muajin korrik, mitropoliti Joanikije ka shenjtëruar themelet e tempullit të ardhshëm pranë Liqenit të Kapitenit, në Komunën e Kollashinit, në një parcelë toke që është në pronësi të shtetit të Malit të Zi.

Inspektorati Urbanistik dhe Ndërtimor i Ministrisë së Ekologjisë ka kryer një inspektim në atë lokacion, pas të cilit ka thënë se “po ndërmerren masa dhe veprime të mëtejshme”.

Por, shembulli më drastik është një kishë metalike e Kishës Ortodokse Serbe, që është vendosur me helikopter në Malin e Rumisë në vitin 2005, duke thyer traditën shekullore të grumbullimit të ortodoksëve, katolikëve dhe myslimanëve në majën e këtij mali./REL

 

Fraksion.com