“Fasada e Ramës dhe Veliajt nuk i ndihmon qytetarët”, Këlliçi: Urbani i Tiranës do të jetë falas
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Partisë Socialiste dhe Kryeministrit Edi Rama, i cili komentoi premtimet elektorale të Këlliçit.
Në një postim në rrjete sociale, Këlliçi iu përgjigj Ramës në lidhje me komentet për transportin publik falas.
“Kryeministri dhe kryebashkiaku i tij, i shtuan sot Tiranës edhe më shumë fasadë, shfaqje, e propagandë. Asgjë nga këto nuk i ndihmon qytetarët, nuk hap një vend të ri pune, nuk ul koston e rënduar të jetesës. Shefi i Rilindjes tregoi se ai jeton me konfliktin politik, me sulmet dhe ofendimet, sepse shpreson, që në këtë mënyrë njerëzit do të harrojnë bilancin katastrofik që ai ka në qeverisje, dhe të besuarit e tij nëpër bashki”, u shpreh Këlliçi.
“Unë kam një model tjetër. Me projekte konkrete që do të sjellin zbutjen e kostos së lartë të jetesës. Ndryshe nga shëndetësia jote falas, urbanin e Tiranës, kurdo që të hypësh e kudo që të shkosh, do ta kesh falas. Këto janë zgjedhje për qytetarët, për shqetësimet dhe për jetën e tyre”, tha ai.
Në çeljen e fushatës elektorale të Partisë Socialiste, Kryeministri Rama tha se Veliajt i kanë gjetur një kandidat që duket sikur ka humbur fizarmonikën. “Kur thotë se do të bëjë transport publik falas, mua më duket sikur thotë ‘po ma gjetët fizarmonikën, unë do ju bëj një xhiro pa lekë’”, tha Rama.
Fraksion.com