AktualitetTë fundit

Atentati ndaj kreut të PD-së në Vaun e Dejës, ekspertiza: U vendos 50 gramë tritol, 6 të shoqëruar

Një sasi prej afro 50 gram lëndë eksplozive mendohet se është vendosur në automjetin e kryetarit të PD të rithemelimit në Vau Dejës Bernard Ndreca një ditë më parë. Pas hetimeve paraprake, forcat Xhenio të cilët erdhën për të bërë ekspertizën kanë dalë në konkluzionin se sasia e tritolit të vendosur është rreth 50 gram.

Ndërkohë policia vendore e Shkodrës pas kësaj ngjarje të rëndë ka shoqëruar gjashtë persona në komisariat por deri më tani nuk ka asnjë të ndaluar si autor i dyshuar i vendosjes së eksplozivit në automjetin e shtetasit Bernard Ndreca. Po ashtu grupi i ekspertizës është duke hetuar edhe gjurmët e dy autorëve të cilët shfaqen në kamerat e sigurisë duke vendosur tritolin poshtë makinës së Ndrecës.

Burime pranë policisë shprehen se kjo mbetet e vështirë për shkak të shpërthimit me tritol dhe faktit që gjurmët mund të jenë zhdukur. Përveç kamerave të sigurisë të banesës së Bernard Ndrecës policia ka sekuestruar edhe kamera të tjera në fshatin Paçram të bashkisë Vau Dejës por mbetet e vështirë identifikimi i autorëve sepse është një zonë e hapur e cila nuk ka në gjithë territorin kamera sigurie.

Një tjetër dyshim është se shpërthimi mund të jetë bërë i telekomanduar. Fillimisht autorët rreth orës 1:13 të 11 prillit shfaqen duke vendosur poshtë automjetit lëndën eksplozive. Më pas rreth orës 6:30 kur Ndreca ndez makinën dhe ecën pak metra ndodh edhe shpërthimi. Sipas hetimeve të deritanishme autorët kanë ruajtur deri në mëngjes dhe kanë bërë shpërthimin e telekomanduar.

 

Pas kësaj ngjarje të rëndë Bernard Ndreca deklaroi se ka dyshime të forta se kjo ngjarje lidhet vetëm me politikën për shkak të fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore të 14 majit duke thënë se tritoli nuk është vendosur në emrin e tij personal por si kryetar i PD i Rithemelimit në Vau Dejës.
Ndreca kërkoi që kjo ngjarje të zbardhet dhe politika të shkëputet nga ndikimi që ka në radhët e policisë. Ndreca shpëtoi pa lëndime nga ky shpërthim për shkak se tritoli i vendosur në automjetin tip “Audi” kishte rënë në tokë duke shkaktuar vetëm dëme materiale ndërsa autorët janë ende të paidentifikuar. Policia vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Fraksion.com