AktualitetTë fundit

Arrestohet në flagrancë 49 vjeçarja në Fier, kultivonte narkotikë. Kërkohet bashkëshorti i saj

Drejtoria e Policisë së Shtetit tha sot se ka zhvilluar  kontrolle në të gjithë territorin e qarkut të Fierit, me qëllim parandalimin dhe goditjen që në fazën fillestare të tentativave për kultivim të bimëve narkotike.

Policia tha se ka gjetur dhe asgjësuar 182 fidanë narkotikë kannabis sativa të mbjellë në kubikë dhe se arrestohet në flagrancë pronarja e banesës ku u gjetën fidanët narkotikë, si dhe shpallet në kërkim bashkëshorti i saj. Në banesën e këtyre shtetasve u gjet edhe një armë gjahu që mbahej pa leje.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në zbatim të detyrave të marra në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar, me fokus parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale që në fazën fillestare.

Me mbështetjen e inteligjencës informative, kanë evidentuar dhe kanë goditur në kuadër të operacionit policor të koduar “Kreshpan”, një tjetër rast të kësaj veprimtarie kriminale, për të cilin u arrestua në flagrancë shtetasja P. Y., 49 vjeçe, si dhe u shpall në kërkim bashkëshorti i saj shtetasi D. Y., 51 vjeç (alias S. Y., alias K. Y.).

Si rezultat i kontrolleve, në banesën e këtyre shtetasve, në fshatin Kreshpan, shërbimet e policisë gjetën dhe asgjësuan 182 fidanë të dyshuar narkotikë kanabis sativa, të mbjellë në kubikë.

Gjithashtu, në banesën e këtyre shtetasve u gjet dhe u sekuestrua një armë gjahu që mbahej pa leje. Vijon puna për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasit D. Y.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, për veprime të mëtejshme”.

 

Fraksion.com