Punonjësi i bankës vret 4 nga kolegët e tij në Kentaki dhe plagos 9 të tjerë
Një punonjës banke 23-vjeçar i armatosur me pushkë qëlloi për vdekje katër kolegë dhe plagosi nëntë persona të tjerë në vendin e tij të punës të hënën, ndërsa transmetonte drejtpërdrejt sulmin në mediat sociale nga qendra e qytetit Louisville, Kentaki, thanë zyrtarët.
Sulmuesi u qëllua për vdekje në vendngjarje, tha Departamenti i Policisë në Louisville, por nuk ishte e qartë nëse ai vdiq nga të shtënat e policisë, apo nga një plagë e vetëshkaktuar.
Policia e identifikoi sulmuesin si Connor Sturgeon, i cili u punësua në degën në qendër të qytetit të bankës “Old National Bank” si punonjës me kohë të plotë vitin e kaluar.
Të plagosurit po trajtohen në spital për plagët që kanë marrë, përfshirë dy oficerë policie, njëri prej të cilëve ishte në gjendje të rëndë.
“Ishte përgjigja heroike e oficerëve që mundësoi që të mos plagoseshin më shumë njerëz”, tha një zyrtar i policisë.
Guvernatori i Kentakit, Andy Beshear, tha pothuajse i përlotur gjatë një konference për shtyp se ai njihte disa nga viktimat, përfshirë mikun e tij Thomas Elliot, zëvendës president në bankë.
“Ai më mësoi se si të ndërtoja karrierën time të avokatisë, më ndihmoi të bëhesha guvernator, më dha këshilla për të qenë një baba i mirë”, tha Guvernatori Beshear. “Një nga njerëzit me të cilët kam folur më shumë në botë”.
Dy oficerë policie ishin ndër nëntë personat e plagosur, përfshirë një 26-vjeçar të sapodiplomuar në akademinë policore, i cili u godit në kokë dhe vazhdon në gjendje kritike pas operacionit në tru të hënën, tha policia. Të nëntë u trajtuan në spitalin e Universitetit të Louisville, tha një zëdhënës i spitalit. Dy viktima të tjera ishin gjithashtu në gjendje të rëndë.
Gjatë 100 ditëve të para të këtij viti kanë ndodhur 15 sulme masive me armë zjarri. Një numër kaq i lartë nuk është regjistruar që nga viti 2009, kur sipas të dhënave nga agjencia e lajmeve Associated Press dhe gazeta USA Today në bashkëpunim me universitetin “Northeastern University” ishin regjistruar 16 incidente deri më 10 prill./voa
Fraksion.com