AktualitetKosovaTë fundit

Një serb i plagosur në veriun e Kosovës – pezullohen katër pjesëtarë të policisë

Policia e Kosovës tha të martën se pezulloi nga puna katër pjesëtarë të saj, në kuadër te hetimeve rreth një incidenti në të cilin një pjesëtar i komunitetit serb mbeti i plagosur gjatë natës në veriun e banuar me shumicë serbe.

Më herët gjatë ditës policia kishte mohuar përfshirjen e saj në plagosjen e qytetarit serb, ndërsa pasditen e së martës tha se janë siguruar dëshmi mbi dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në të shtëna me armë zjarri.

“Bazuar në informacionet dhe dëshmitë e siguruara janë marrë masa të suspendimit ndaj zyrtarit policor, pasi nuk kishte raportuar lidhur me rastin”, thuhet në njoftimin e policisë në të cilin nënvizohet se masa e pezullimit u është shqiptuar edhe tre zyrtarëve të tjerë për përfshirje në këtë incident.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier shkroi në rrjetet sociale se “Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për incidentin në të cilin një serb i Kosovës u qëllua mbrëmë në Zveçan. Zyrtarët dhe institucionet e Policisë së Kosovës duhet të kryejnë një hetim të plotë dhe të besueshëm. Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga mohimi fillestar i bërë pa kujdesin e duhur”, shkroi ai, duke bërë thirrje për llogaridhënie të atyre që janë përgjegjës për veprime kriminale.

I plagosuri është duke u trajtuar në spitalin e Mitrovicës së Veriut dhe është jashtë rrezikut.

Incidenti nxiti reagimin e zyrtarëve të Beogradit të cilët akuzuan autoritetet në Prishtinë për dhunë ndaj pjesëtarëve të komunitetit serbë në zonën e trazuar.

Përfaqësuesit e katër komunave veriore të banuara me shumicë serbe, nuk e njohin autoritetin e Prishtinës e cila ka shpallur për 23 prill zgjedhjet për postet e kryetarëve të këtyre komunave. Postet janë bosh që nga nëntori i vitit të kaluar kur përfaqësuesit serbë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës mes tensioneve për shkak të mospajtimeve ndaj një vendimi të qeverisë në Prishtinë për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato të Republikës së Kosovës.

Lista Serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, refuzon të marrë pjesë në zgjedhje dhe të enjten pritet që të takohet ne Rashkë të Serbisë me presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe qeverinë e Serbisë për të diskutuar siç është thënë, për gjendjen e sigurisë, targat e makinave, arrestimet e serbëve dhe zgjedhjet në veriun e Kosovës. Presidenti serb tha se diskutimet do të përqendrohen në hartimin një platforme të përbashkët rreth situatës në veriun e Kosovës.

Një numër organizatash joqeveritare kanë tërhequr vërejtjen se se rrethanat aktuale nuk mundësojnë mbajtën e zgjedhjeve në veri, të cilat fillimisht qenë caktuar për 18 dhjetor të vitit të kaluar për t’u shtyrë për 23 prill të këtij viti.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com