Europa “Pol i tretë”: Kritikohet Macron pas deklaratës për Tajvanin
“Më e keqja do të ishte të mendohej, se ne europianët në lidhje me këtë temë do të duhet të ishim oportunistë dhe të përshtateshim me ritmin amerikan apo një mbireagim kinez” – Këto ishin fjalët e presidentit francez, Emmannuel Macron që shkaktuan shumë reagime. Macron nënkupton me këtë, që Europa në konflikt me Kinën duhet të veprojë e mëvetësishme. Nëse kjo nuk bëhet, Europa kërcënon të bëhet vasale mes SHBA dhe Kinës. Megjithëse mund të jemi një “pol i tretë”, sipas presidentit francez.
Kjo deklaratë përmban një potencial shpërthyes politik, sepse SHBA-të si aleatja klasike e Europës e shohin jashtëzakonisht me sy kritik Kinën dhe politikën e saj të jashtme. Në një kohë që Kina konsiderohet si rivalja më e fuqishme gjeopolitike e Shteteve të Bashkuara. Po kaq të ashpra ishin edhe reagimet. Senatori amerikan, Marco Rubio deklaroi në twitter, se nëse Europa në çështjen e Tajvanit nuk kalon në anën e SHBA apo Kinës, atëherë edhe SHBA në konfliktin e Ukrainës ndoshta nuk duhet të mbajnë një anë.
Kritika në Gjermani dhe BE
Edhe nga BE e Gjermania kanë ardhur kritika. “Kush angazhohet për lirinë dhe demokracinë nuk është oportunist”, kritikoi kreu i Partive Popullore Europiane, Manfred Weber. Shtetet e BE nuk do të sihin të besueshme, “nëse kërkojnë në njërën anë sovranitet për Europën dhe në anën tjetër kapin çdo lloj marrëveshje ekonomike që munden me Kinën”, tha Weber për gurpin mediatik, Bayern. “Lidershipi kinez nuk ka për t’i respektuar europianët kështu.”
Edhe politikani për çëshjet e jashtme të CDU-së, Norbert Röttgen shkroi në twitter se Macron ia doli që udhëtimin në Kinë ta kthejë në promovim për presidentin kinez, Jinping dhe në një katastrofë për politikën e jashtme të Europës. Një sulm ndaj Tajvanit bëhet më i mundur, sa më shumë që Xi beson, se Europa në një konflikt të tillë do të qëndrojë neutrale. “Ne nuk jemi neutralë!”, shkroi Röttgen. Kurse Sekretari i Përgjithshëm i liberalëve, FDP, Bijan Djir-Sarai tha për gazetën Bild, se “pozicioni i Macron nuk është një strategji e mençur për Europën. “Ne jetojmë në një botë të rrezikshme. SHBA dhe Europa do të duhet të punojnë më ngushtë.”
Kurse politikani socialdemokrat për çështjet e jashtme, Metin Hakverdi tha për “Tagesspiegel”, se do ishte një “gabim i madh” nëse perëndimi do të përçahej në mënyrën se si duhet vepruar ndaj Pekinit. “Kjo dobëson bashkësinë tonë të vlerave.” Kundrejt Kinës, perëndimi, pra Europa dhe SHBA duhet të përpiqen të dalin të bashkuar dhe jo të përçahen.”
Vizita e Macron në Pekin
Para pak ditësh Macron vizitoi Pekinin dhe u takua me presidentin kinez, Xi Jinping. Kina e konsideron Tajvanin që qeveriset në mënyrë demokratike si territorin e saj. Të shtunën si reagim pas vizitës në SHBA të presidentes së Tajvanit, Tsai Ing-ven, Kina zhvilloi për tre ditë manovra ushtarake rreth ishullit tajvanez. Statusi i Tajvanit është një nga pikat kryesore të konfliktit mes SHBA dhe Kinës. Vëzhguesit nuk përjashtojnë, që Kina të marrë masa për të pushtuar Tajvanin./DW
Fraksion.com