AktualitetPolitikëTë fundit

Atentati ndaj kreut të PD në Vaun e Dejës, Berisha: Akt terrorist shtetëror, përgjegjës Rama dhe Çuçi

Kryetari i PD, Sali Berisha në një deklaratë për mediat ka reaguar për atentatin me tritolndaj kreut të PD-së në Bashkinë e Vaut të Dejës, Benard Ndrecës, i cili nuk ka pësuar dëmtime.

Kryedemokrati Berisha është shprehur se ky është një akt terrorist shtetëror me të cilin sipas tij, Kryeministri Rama ka hapur fushatën e tij elektorale.

Sali Berisha: Sot në mëngjes u krye një akt i rëndë i terrorizmit shtetëror kundër Benard Ndrecës, kryetar i PD për Vaun e Dejës, me qëllim eliminimin e tij fizik. Benard Ndreca është një qytetar shembullor, e tillë është familja e tij. Terroristë shtetërorë, sipas regjistrimit të kamerave, kanë vendosur tritolin në makinën e tij. Benardi, tek nisej për në punë, pas disa metrash përballet me një eksplozion të tmerrshëm që i shkatërron pjesën e përparme të makinës. Por fatmirësisht, vetë ai shpëtoi nga ky atentat i mirëfilltë politik. Me këtë akt terrorist, Edi Rama inauguron çeljen e fushatës së tij elektorale. Ky përbën një krim të shëmtuar, përbën një akt të pashembullt në historinë e zgjedhjeve kur një drejtues kryesor i një dege të PD-së, sulmohet apo ndaj tij organizohet një atentat për likuidimin e tij.

Kryedemokrati Berisha është shprehur se për aktin bën përgjegjës direkt Kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçin. Kryetari i PD-së, Berisha ka deklaruar se koha e monizmit merr fund më 14 Maj.

Sali Berisha: Vau i Dejës dhe mbarë Shqipëria, janë sot më të vendosur se kurrë në fitoren e këtyre zgjedhjeve. Unë kam biseduar në telefon me Benardin, me deputetin Zef Hila dhe u shpreh atyre mbështetjen dhe solidaritetin tim të plotë. Gjithashtu, dënoj këtë krim të shëmtuar. Specialistët e tritolit janë të gjithë nën kontrollin qeveritar shtetëror. Pasi dështuan me të gjitha mënyrat në Vaun e Dejës, së fundmi zgjodhën atë më ekstremen, por edhe me këtë dështuan. Duke dënuar edhe njëherë me ashpërsinë më të madhe këtë akt të narkoshtetit, bëj përgjegjës direkt Edi Ramën dhe ministrin e familjes, Çuçi, pasi policia e Vaut të Dejës dhe shefi i komisariatit sillen si një seksion i PS-së. Me sjelljet e tyre militanteske, të gjitha pistat dhe dyshimet shkojnë se ata janë dorës dhe organizatorë të këtij akti. Unë u bëj thirrje demokratëve të Vaut të Dejës dhe mbarë Shqipërisë të vazhdojmë këtë betejë, se ky akt i sotëm është dëshmi e një përpëlitje të një organizate kriminale të kryesuar nga Edi Rama, që ka humbur çdo shpresë dhe nuk ngurron as aktet më ekstreme për të terrorizuar dhe marrë jetë njerëzish. Koha e monizmit merr fund më 14 Maj. Qytetarët e Vaut të Dejës do votojnë Zef Hilën dhe Benard Ndreca do udhëheqë një nga fushatat më të suksesshme në Shqipëri.

 

Fraksion.com