Armë të fshehura brenda tavolinës që do të transportohej drejt Anglisë: Kapen në portin e Durrësit
Armët që u gjetën të hënën pasdite në portin e Durrësit, me qëllim transportin drejt Anglisë, mësohet se u gjetën të fshehura në një tavolinë.
Mobilja ishte përshtatur me hapësira të veçanta, ku ishin fshehur pistoletat, 6 glock, 1 browning dhe 1 helstar, dy të fundit prodhim i ri. Po ashtu janë sekuestruar edhe 200 fishekë pistolete.
Policia po verifikon personin qe ka dorëzuar tavolinën në fugonin qe çonte pako nga Shqipëria në Luton të Anglisë.
Gjithashtu po verifikohet dhe adresa qe tavolina ka pasur për t’u dorëzuar në Angli.
Shoferi i furgonit Jetmir Koloshi, i cili është vënë në pranga, në dëshminë e tij ka thënë se nuk ka dijeni për armët. Ai është shprehur se bën vetëm transport të mallrave të ndryshëm që dorëzohen nga shqiptarë dhe bën dorëzimin e pakove te të afërmit e tyre drejt Lutonit në Angli.
Ngarkesa e dyshimtë u konstatua fillimisht kur mjeti me targa angleze KS 15 NZN ka kaluar në skaner dhe pas sinjalizimit nga punonjësit e skanerit, policia në port ka ushtruar kontroll fizik në furgonin tip “Mercedes Benz”, ku në pjesën e bagazheve është konstatuar një tavolinë rreth 1 metër e gjysmë e gjatë e mbështjellë me letër transparente.
“Në vazhdën e goditjeve të njëpasnjëshme nga strukturat e Policisë së Shtetit, të rasteve të tentativave për trafikim të lëndëve narkotike, të futjes kontrabandë të naftës e mallrave të tjera për të cilat paguhet akcizë, të rasteve të futjes në mënyrë të kundërligjshme të shumave të parave të përfituara nga veprimtaria kriminale, si dhe të atyre të tentativës për trafikim të armëve të zjarrit, pasditen e djeshme, strukturat e Policisë së Shtetit, bazuar në inteligjencën informative, se në një furgon që tranportonte mallra drejt Anglisë mund të ishin futur armë zjarri, kanë ushtruar kontroll të imtësishëm, në bashkëpunim me autoritetet doganore.
Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, duke përdorur edhe teknikat bashkëkohore për gjetjen e armëve të zjarrit dhe municionit, u bë e mundur që brenda një tavoline të gjendeshin 8 armë zjarri (pistoleta), krehra me municion luftarak dhe aksesorë të ndryshëm armësh, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 2 aparate celulare dhe një shumë parash.
Në vijim të veprimeve, drejtuesi i furgonit që transportonte mallrat, shtetasi J. K., 35 vjeç, banues në Tiranë, është arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.
Strukturat hetimore të DVP Durrës dhe ato të Departamentit të Policisë Kriminale, në bashkëpunim me SPAK-un, po vijojnë veprimet e thelluara hetimore, për zbardhjen e plotë të këtij rasti të trafikimit të armëve të zjarrit drejt Anglisë, si dhe për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, njofton policia.
Fraksion.com