AktualitetPolitikëTë fundit

Rritja e pagave, Celibashi: Parashikime ndaluese vetëm për zgjedhjet e Kuvendit

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, në një konferencë për mediet tha sot se, “mënyra e shpenzimeve të partive në fushatë zgjedhore është çështje e ligjit”.

I pyetur nëse PS ka shkelur kodin zgjedhor duke premtuar rritje page para fushatës, si dhe për shpenzimin e buxhetit zgjedhor për mbjellje pemësh, Celibashi theksoi se, “nuk mund të them gjë në këtë moment, por me rëndësi është që partitë të marrin financimet që kërkojnë për fushatën, mënyra e shpenzimit është çështje e ligjit dhe ka parashikime që duhet të zbatohen”.

“Kur të jetë rasti për ta vlerësuar rastin për shpenzimin e këtyre parave, do të kemi një njoftim”, tha ai.

Lidhur me vendimin për rritjen e pagave pak para zgjedhjeve, ai theksoi se, “secili mund të ketë komentet e veta në pikëvështrime të ndryshme të këtyre akteve, por ajo çfarë në cilësinë e Komisionerit do duhet të vlerësoj, është përputhshmëria në raport me kodin zgjedhor, dhe kemi vlerësuar që ato parashikime ndaluese janë për zgjedhjet e kuvendit të Shqipërisë”.

I pyetur mbi denoncimin e tre rasteve të kandidatëve për kryetar bashkie, Celibashi tha se, “sa i përket pretendimeve në dy raste, mbi përputhshmërinë me ligjin për dekriminalizimin, me shumë mundësi të mërkurën do hapim procesin e shqyrtimit të kërkesave”.

“Nëse do jetë rasti për procedim me hetim të thelluar, do i kërkojmë Prokurorisë të angazhohet, në të kundërt do merret vendimi nga Komisoneri për këta kandidatë”, deklaroi ai, teksa shtoi se, janë duke u shqyrtuar edhe tre raste që lidhen me regjistrimin e kandidatëve, një për këshillat bashkiakë dhe dy për kryetar bashkie.“Presim shqyrtimin e tre rasteve që lidhen me regjistrimin e kandidatëve, s’ka të bëjë me verifikimin për dekriminalizim, por po shqyrtojmë aspekte teknike të regjistrimit. Bëhet fjalë, një për anëtarë këshilli dhe dy kandidatë për kryetarë bashkie, mos gaboj është Devolli dhe bashkia Finiq”, tha ai.

Celibashi bëri të ditur se, po shqyrtohet aspekti teknik në lidhje me shortin për regjistrimin e subjekteve zgjedhore.

Ai tha se, fillimisht do të hidhet shorti për anëtarë e këshillit bashkiak e mandej për kryetarët e bashkive.

“Në seancën e sotme kemi zhvillimin e procedurave për hedhjen e shortit për renditjen e disa kandidatëve për kryetarë bashkie në disa bashki, por do ta shtyjmë sepse kemi marrë një kërkesë nga një subjekt zgjedhor, i cili kërkon që të bëhet hedhja e shortit, paraprakisht, për subjektet zgjedhore dhe pastaj për kandidatët për kryetarë bashkie. Edhe për këta të fundit, të bëhet për të gjithë në të njëjtën kohë. Meqenëse për 3 kandidatë jemi akoma në procedurë shqyrtimi të ankimeve, do duhet të presim përfundimin ne shqyrtimit të ankimeve në KAS dhe në Kolegjin Zgjedhor”, theksoi ai.

Celibashi tha se, këto procedura duhet të përfundojnë para datës 14 maj, ditë edhe kur nis zyrtarisht fushata, në mënyrë që kandidatët ose anëtarët për këshilla bashkiakë të jenë në dijeni nëse do të jenë pjesë e kësaj gare.

I pyetur se, sa kandidatë mund të rrezikojnë futjen në zgjedhje vendore, Celibashi tha se, ende nuk ka një numër dhe se po pritet që të gjithë emrat, përfshirë edhe kandidatët për këshilla bashkiakë, të bëhen publike dhe do t’i nënshtrohen procesit të hetimit nëse ka indice.

“Teorikisht janë vetëm tre kandidatë deri në momentin që flasim, do shohim në momentin që do bëhet publike lista e të gjithë kandidatëve, jo vetëm për kryetarë, për edhe anëtarë, janë rreth 28 mijë e 800 kandidatë që mund t’i nënshtrohen procesit të verifikimit të thelluar nëse ka indice” deklaroi Celibashi.

 

Fraksion.com