AktualitetSportTë fundit

“Pas Lojërave Olimpike do krijoj familje”, Luiza Gega flet për jetën private

Atletja e njohur Luiza Gega ishte e ftuar këtë të diel në programin “Dola te Ola” në televizionin News24, ku foli për jetën e saj profesionale, por edhe për atë familjare.

Teksa rrugëtoi nëpër kujtime me anë të fotografive, Luiza tregoi se gjithmonë i ka pëlqyer të merrej me sport, deri sa në moshën 14-vjeçare nisi të stërvitet për atë që do të kthehej në pasionin e jetës së saj dhe do ishte puna me të cilën ajo do të merrej, atletika. “Më pëlqente shumë të vrapoja, spikasja në distanca të gjata”.

Pasi u stërvit për 3 muaj me burrin e tezes, i cili ishte trajner, Luiza arriti të fitonte garën e parë me distancë 3 km në Korsin e Kombëtar të Atletikës. Fitorja i dha Luizës shkëndijën dhe emocionet që të jep një triumf për të vazhduar më tej.

“Që fëmijë e mbaj mend veten time që doja të bëja maksimumin kur merrja përsipër diçka. T’i merrja maksimumin asaj që kisha mundësi. Nëse krahasohesh me të tjerët, harrohesh”, u shpreh kampionia e Europës në “Dola te Ola”.

 

 

Gjatë bisedës atletja rrëfeu se familja e saj ka qenë një mbështetje e madhe për të dhe prindërit e saj kujdeseshin që 5 fëmijëve, 4 vajza dhe një djalë, të mos u mungonte asgjë. “Prindërit ndoshta nuk kanë qenë një shtysë drejt sportit, por ata kurrë nuk më ndaluan për këtë ëndërr. Mundoheshin të më plotësonin çdo kërkesë”, tha ajo, duke shtuar se ndryshe nga motrat dhe vëllai ajo kishte më shumë shpenzime.

Një moment shumë i bukur në studio ishte kur u shfaq një videomesazh surprizë nga një nga motra e Luizës, e cila shprehu krenarinë që ndjen për motrën e saj.

Luiza tha se për fat të keq shpesh nuk është e pranishme pranë familjes për shkak të angazhimit të rreptë sportiv që ajo ndjek, por familjarët janë gjithmonë aty për të duke e mbështetur në çdo moment, “Jam e dedikuar 24 në 24, jam nëpër male duke u stërvitur”.

Lidhur me çështjet e zemrës, atletja tha se për momentin po bëhet gati për Lojërat Olimpike që zhvillohen vitin tjetër dhe pastaj do të ketë një pauzë për të marrë kohën e saj.

 

Fraksion.com