AktualitetPolitikëTë fundit

Sulmi terrorist në Izrael, Rama: Jemi të pikëlluar, dënojmë me forcë autorët! Shqipëria mbështet rrugën e paqes dhe bashkëpunimit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për sulmin terrorist në Izrael duke shprehur ngushëllimet ndërsa dënon autorët e ngjarjeve të rënda. Përmes një postimi në Twitter, Rama thotë se Shqipëria mbështet Izraelin dhe fqinjët që kanë zgjedhur rrugën e paqes.

“Jemi thellësisht të pikëlluar nga sulmet pa dallim ndaj Izraelit që kanë rezultuar në humbje jetësh dhe dënojmë me forcë autorët dhe mbështetësit e tyre. Shqipëria qëndron e vendosur me Izraelin dhe të gjithë fqinjët e tij myslimanë që kanë zgjedhur rrugën e paqes dhe bashkëpunimit”, tha Rama.

Reagimi i Ramës erdhi pasi një turist italian u vra dhe disa të tjerë u plagosën në një sulm terrorist me makinë në Tel Aviv. Një makinë u përplas me një grup njerëzish pranë një parku, përpara se të përmbysej.

Pas sulmit, forcat izraelite të sigurisë qëlluan një palestinez që dyshohet se ka qenë autori i kësaj ngjarje. Ky ishte sulmi i dytë vdekjeprurës të premten, pasi dy motra u vranë kur makina e tyre u qëllua në Bregun Perëndimor.

Zyra e Jashtme e Britanisë tha se ata ishin shtetas britanikë. Tensione pas sulmeve ajrore izraelite mbi objektivat militantë palestinezë si në Liban ashtu edhe në Gaza janë shtuar.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com