AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Rama: Subvencionet në bujqësi, të orientuara nga tregu

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Portali i Fermerit, krijon mundësinë për t’u informuar edhe lidhur me subvencionet dhe rrugët e duhura për të marrë financime.

“Mund të shikosh po ashtu, se çfarë kanë bërë ata që kanë marrë financim, sepse financimet në bujqësi do të jenë gjithmonë e më pak vetvetiu, financime që shpërndahen pavarësisht se çfarë bën ti dhe do jenë gjithmonë e më shumë financime në varësi të asaj që bën ti. Pra, nëse ti insiston të mbjellësh një kulturë që nuk ka sukses, ti nuk mund të marrësh financim, me zor njeri nuk të vjen të ta shkulë atë kulturën dhe të thotë: “Kjo në fund do përfundojë në kanal se ti nuk do e shesësh dot”, por ama do të bëjë gjithçka sistemi i mbështetjes, Ministria e Bujqësisë, drejtoritë që ti ta dish këtë gjë”, tha ai.

Rama theksoi se “fondet nuk mbarojnë kurrë nëse di sesi t’i kërkosh dhe di se ku t’i kërkosh”.

“Bashkimi Europian vë shumë fonde në dispozicion, shumë, për të gjitha vendet, por ka një të dhënë shumë interesante; vendet më të zhvilluara marrin më shumë fonde nga fondet në dispozicion, pra, nëse po themi, Gjermania apo Austria ka 100 euro në dispozicion, arrin t’i marrë 99. Nëse një vend tjetër ka 100 euro në dispozicion, që janë për të, mezi merr 40 sepse është aftësia për t’i marrë”, tha ai.

Rama tha se fermeri duhet të ketë idenë e duhur, të shkruajë projektin e duhur dhe të ketë kredibilitetin e duhur që të marrë fonde.

“Disa thonë: “Si ka mundësi që dikush ka marrë dy herë mbështetje”? Ka shumë mundësi se ky dikushi ka bërë të gjitha gjërat e duhura për të marrë mbështetje dy herë dhe falë këtyre dy herë mbështetjesh, ky dikushi e ka zhvilluar kompaninë e tij në funksion të zhvillimit të sektorit ashtu siç duhet”, shtoi Rama.

 

Fraksion.com