AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Rama: Paga mesatare 900 euro nga 563 euro aktualisht, brenda një viti

Kryeministri Edi Rama komunikoi sot pas mbledhjes së qeverisë vendimin për rritjen e pagës mesatare në harkun e një viti nga 563 euro që është sot në 900 euro.

Në një prononcim për medie, Rama informoi mbi reformën e re të pagave, ndërsa shtoi se “ky është rezultat i përgjithshëm i përpjekjeve, reformave, punëve të bëra”.

“Kjo për të ardhur në ditën që ta krijojmë këtë mundësi për shtëpinë tonë të përbashkët dhe të mund të rishpërndajmë të ardhurat aty ku familjet e zakonshme shqiptare presin më shumë se sa në çdo gjë tjetër, në arkën e buxheteve të tyre”, tha ai.

Kryeministri theksoi se “është shumë e rëndësishme për ne të konstatojmë sot se sa e qëndrueshme është ekonomia jonë dhe se realisht kemi hyrë në një fazë të re zhvillimi, pavarësisht peripecive dhe goditjeve të jashtëzakonshme në vazhdën e disa krizave rresht, ia kemi dalë të rezistojmë dhe adresojmë plagë e probleme të rënda”.

“Vazhdojmë sot të mbështesim të gjitha familjet e e bizneset e vogla që të mos shohin asnjë qindarkë rritje të çmimit të energjisë në faturën e tyre. Sot u themi të gjithëve se është dita për të marrë ata vetë direkt jo thjesht komuniteti, bashkia, vendi, shkolla, kopshtet, çerdhe, spitale, qendra shëndetësore, por ata vetë drejtpërdrejtë në arkën e tyre familjare frute nga kjo përpjekje dhe nga reformat që na kanë sjellë deri këtu”, tha Rama.

 

Fraksion.com