Ndryshon peizazhi i sigurisë në Evropën verilindore
Nga Mimoza Golikja
Dita e NATO-s përkujtohet në kryeqytetet e Aleancës çdo vit më 4 prill, që është përvjetorii nënshkrimit të dokumentit themelues të NATO-s, Traktatit të Uashingtonit, në vitin 1949. Dhe për shtatëdhjetë e katër vjet, Aleanca ka qëndruar e palëkundur në vendosmërinë e saj për të mbrojtur qytetarët, çdo pëllëmbë të territorit të saj, si dhe të ruajë lirinë dhe demokracinë.
Por Dita e NATO-s 2023 ishte veçanërisht historike, pasi ndërsa ministrat e Jashtëm të NATO-s u takuan në Bruksel në 4 prill 2023, Finlanda u bë anëtarja e 31-të e Aleancës.
“Po në këtë ditë, në vitin 1949, Traktati i Uashingtonit, traktati themelues i NATO-s, u nënshkrua në Uashington dhe është e vështirë të imagjinohet një mënyrë më e mirë për të festuar përvjetorin tonë sesa të bësh Finlandën një anëtare të plotë të Aleancës”, tha Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg.
Anëarësimi i Finlandës zyrtarisht në NATO, ndërkohë shënon një ndryshim të madh në peizazhin e sigurisë në Evropën verilindore pasi shton rreth 1300 kilometra (ose rreth 830 milje) në kufirin e aleancës me Rusinë. Ndërsa përpjekja e Suedisë për t’iu bashkuar Aleancës pret ratifikimin nga aleatët Turqia dhe Hungaria, bashkimi i Finlandës në aleancë risjell edhe njëherë thirrjet e Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n. Ndërkohë që Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po viziton Poloninë, Jens Stoltenberg njofton se presidenti ukrainas është ftuar në samitin e aleancës, që do të zhvillohet në kryeqytetin lituanez Vilnius në korrik.
Finlanda i bashkohet NATO-s si aleati i 31-të
Finlanda u bë anëtarja më e re e NATO-s më 4 prill 2023, pasi depozitoi instrumentin e saj të pranimit në Traktatin e Atlantikut të Veriut me Shtetet e Bashkuara në selinë e NATO-s në Bruksel. Aleatët e NATO-s nënshkruan Protokollin e Anëtarësimit të Finlandës më 5 korrik 2022, më vonë të 30 parlamentet kombëtare votuan për ratifikimin e anëtarësimit të vendit.
“E mirëpresim Finlandën në Aleancë!”, tha me emocion Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ndërsa ministri i Jashtëm finlandez Pekka Haavisto depozitoi instrumentin e anëtarësimit të Finlandës në qeverinë e Shteteve të Bashkuara, të përfaqësuar nga Sekretari i Shtetit Antony Blinken. Sekretari i Përgjithshëm më pas mirëpriti Presidentin finlandez Sauli Niinistö në selinë e NATO-s për ceremoninë e ngritjes së flamurit për të shënuar pranimin e vendit në Aleancë.
Duke folur përpara ceremonisë, Sekretari i Përgjithshëm falënderoi Presidentin Niinistö për udhëheqjen e tij të jashtëzakonshme dhe për udhëheqjen e Finlandës në Aleancën më të suksesshme në histori. “Jam thellësisht krenar që mirëpres Finlandën si një anëtare e plotë e Aleancës sonë dhe mezi pres edhe Suedinë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai. “Aderimi në NATO është i mirë për Finlandën, është i mirë për sigurinë nordike dhe është mirë për NATO-n në tërësi”, shtoi ai. Sekretari i Përgjithshëm vuri në dukje gjithashtu se pranimi i Finlandës i tregon botës se presidenti Putin nuk arriti të “mbyllë derën e NATO-s. Në vend të më pak NATO, ai ka arritur të kundërtën, më shumë NATO dhe dera jonë mbetet fort e hapur”, tha ai.
Më pas u luajtën himni kombëtar finlandez dhe himni i NATO-s, ndërsa flamuri i Finlandës u ngrit për herë të parë në oborrin e selisë së NATO-s, në prani të Presidentit Niinistö, ministrit të Jashtëm Haavisto, ministrit të Mbrojtjes Kaikkonen, ministrave të Jashtëm të të gjithë aleatëve të NATO-s dhe Suedisë si e ftuar. Ceremonitë e njëkohshme të ngritjes së flamurit u zhvilluan në Operacionet e Komandës Aleate (SHAPE) në Mons (Belgjikë) dhe Komandën Aleate të Transformimit në Norfolk, Virxhinia (Shtetet e Bashkuara). Duke qëndruar përkrah Presidentit Niinistö, Sekretari i Përgjithshëm tha se “Finlanda është më e sigurt dhe NATO është më e fortë me Finlandën si aleate. Forcat tuaja janë të konsiderueshme dhe shumë të afta, qëndrueshmëria juaj është e pashembullt dhe për shumë vite trupat nga Finlanda dhe vendet e NATO-s kanë punuar krah për krah si partnerë. Nga sot, ne qëndrojmë së bashku si aleatë”, tha Stoltenberg.
“Kjo është një ditë historike. Ne e mirëpresim Finlandën si anëtaren më të re të Aleancës sonë. Ne do ngremë flamurin finlandez për herë të parë këtu në selinë e NATO-s. Tridhjetë e një flamuj tashmë valëviten së bashku si simbol i unitetit dhe solidaritetit aleat.”.
Në këtë ditë, më 4 prill 1949, u nënshkrua Traktati i Uashingtonit, për të krijuar një mburojë kundër agresionit dhe frikës nga agresioni. “Për gati 74 vjet, kjo Aleancë e madhe ka mbrojtur kombet tona dhe kështu vazhdon edhe sot. Por lufta është kthyer në Evropë. Dhe Finlanda ka vendosur të anëtarësohet në NATO dhe të jetë pjesë e Aleancës më të suksesshme në botë.”.
Ky ka qenë procesi më i shpejtë i anëtarësimit në historinë moderne të NATO-s. Finlanda dhe Suedia aplikuan për anëtarësim majin e kaluar. Në qershor, në Samitin e NATO-s në Madrid, çdo aleat i ftoi ata të bashkoheshin dhe në më pak se një vit, Finlandën u bë një anëtare e plotë e Aleancës. NATO është një komunitet i bashkuar nga vlerat, liria, demokracia dhe shteti i së drejtës. “Nga sot, ne qëndrojmë së bashku si aleatë. Kjo dërgon një mesazh të qartë se çdo komb ka të drejtë të zgjedhë rrugën e tij, se dera e NATO-s mbetet e hapur dhe askush nuk mund ta mbyllë atë me forcë apo detyrim.”, tha shefi i NATO-s. “Ne qëndrojmë së bashku, sigurojmë dhe mbrojmë njëri-tjetrin. Të gjithë për një, dhe një për të gjithë. President Niinistö, i dashur Sauli, jam i lumtur që jam këtu së bashku me ju në këtë ditë të madhe. Faleminderit për udhëheqjen tuaj të jashtëzakonshme dhe punën tuaj të palodhshme për të bërë të mundur këtë ditë. Jam i lumtur dhe jam krenar që jam Sekretari i Përgjithshëm që mirëpret Finlandën plotësisht në familjen e NATO-s. Mirë se vini në Aleancë.”, tha Sekretari i Përgjithshëm.
Rikonfirmim i mbështetjes të fortë për Ukrainën dhe rritja e ndërveprimit
Mbështetja e NATO-s për Ukrainën ishte gjithashtu një fokus kryesor i diskutimeve të takimit dy ditor në Bruksel, përfshirë mënyrën e forcimit të mbështetjes politike dhe praktike për Ukrainën. Në takimin e Komisionit NATO-Ukrainë, ditë e parë, (më 4 prill), ministrat e Jashtëm aleatë riafirmuan mbështetjen e tyre të fortë për Ukrainën. Sekretari i Përgjithshëm vuri në dukje se aleatët do të zhvillojnë një nismë shumëvjeçare për të ndihmuar në sigurimin e parandalimit dhe mbrojtjes së Ukrainës, për të bërë kalimin nga pajisjet dhe doktrinat e epokës sovjetike në standardet e NATO-s dhe për të rritur ndërveprimin me NATO-n. “Kjo demonstron angazhimin tonë afatgjatë ndaj Ukrainës dhe e sjell Ukrainën më afër familjes euroatlantike”, tha ai. Ministrat aleatë dhe ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba diskutuan gjithashtu rëndësinë e reformave të vazhdueshme të Ukrainës. Ky ishte takimi i parë i pranishëm nga Finlanda si një anëtare e plotë e NATO-s, pas pranimit të tyre më herët gjatë ditës. “Para se të fillojmë, më lejoni të filloj duke i mirëpritur Finlandën si anëtaren më të re të Aleancës sonë. Pra, ministër Haavisto, i dashur Pekka, ju keni marrë pjesë në shumë takime, por kjo është hera e parë që uleni atje, midis Francës dhe Estonisë, dhe është vërtet një privilegj i madh që të kemi tani si një anëtar të plotë dhe, siç e thamë edhe jashtë, së shpejti do të kemi edhe Suedinë si një anëtare të plotë të Aleancës sonë”, tha Stoltenberg duke iu drejtuar takimit.
“Më vjen mirë që ju mirëpres të gjithëve në këtë takim të Komisionit NATO-Ukrainë. Një mirëseardhje e veçantë për ministren Kuleba. Populli ukrainas vazhdon të mbrojë vendin e tij kundër pushtimit rus me shkathtësi dhe guxim, dhe ne do të vazhdojmë t’i mbështesim ata për aq kohë sa të duhet. Takimi i sotëm është një moment historik i rëndësishëm në rrugën drejt Samitit të Vilniusit”. Takimi diskutoi se çfarë mund të bëhet më shumë për të siguruar që Ukraina të fitojë dhe të mbizotërojë si një komb sovran dhe i pavarur në Evropë. Aleatët e NATO-s tashmë po ofrojnë mbështetje të konsiderueshme, por nevojitet urgjentisht më shumë. “Ne duhet të përmbushim premtimet tona për trajnim dhe armatim të ri të rëndë, dhe të vazhdojmë të rrisim prodhimin e armëve dhe municioneve”, duke forcuar mbështetjen politike dhe praktike për Ukrainën, si dhe reformat që po ndërmerr Ukraina për të luftuar korrupsionin, për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të mbrojtur të drejtat e pakicave. “E ardhmja e Ukrainës është familja euroatlantike dhe ne do të vazhdojmë të punojmë drejt këtij qëllimi.”, tha Stoltenberg.
Ndërkohë administrata e Presidentit të SHBA Joe Biden njoftoi atë ditë një paketë shtesë ndihme ushtarake për Ukrainën në një total prej 2.6 miliardë dollarësh, pjesë e një sasie mbështetjeje të NATO-s për vendin në luftë. Ukraina ka shpenzuar municionet dhe armët më shpejt se sa mund ta prodhojnë SHBA dhe NATO, por Stoltenberg premtoi të rrisë prodhimin për të përmbushur nevojat e mëtejshme.
Takimet me fokus Kinën dhe partnerët Indo-Paqësor. Kina mbështet ekonominë e Rusisë
Ministrat e Jashtëm të NATO-s përfunduan dy ditët e diskutimeve në Bruksel me një takim me partnerët Indo-Paqësor, Australinë, Japoninë, Zelandën e Re dhe Republikën e Koresë dhe Bashkimin Evropian. “Ne diskutuam pasojat globale të luftës së Rusisë kundër Ukrainës”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. Ai theksoi se nëse presidenti Putin fiton në Ukrainë, kjo do të dërgonte një mesazh të rrezikshëm për liderët autoritarë në mbarë botën se ata mund t’i arrijnë qëllimet e tyre përmes forcës brutale. “Kjo luftë nuk është vetëm një sulm ndaj Ukrainës, por ndaj rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla që ruan paqen dhe stabilitetin. Nëse presidenti Putin fiton në Ukrainë, kjo do t’u dërgojë një mesazh të rrezikshëm udhëheqësve autoritarë në mbarë botën se ata mund t’i arrijnë qëllimet e tyre përmes forcës brutale. Pra, mbështetja jonë për Ukrainën mbetet kritike dhe është në interesin tonë të përbashkët të sigurisë.”, tha Stoltenberg.
Ministrat e Jashtëm trajtuan gjithashtu marrëdhënien në rritje të Kinës me Rusinë. Aleatët e kanë pasur të qartë se çdo ofrim i ndihmës vdekjeprurëse nga Kina për Rusinë do të ishte një gabim historik, me implikime të thella, theksoi Sekretari i Përgjithshëm.. “Ne diskutuam gjithashtu marrëdhënien në rritje të Kinës me Rusinë. Kina refuzon të dënojë agresionin e Rusisë, i bën jehonë propagandës ruse dhe mbështet ekonominë e Rusisë. Kina dhe Rusia po shtojnë gjithashtu aktivitetet e tyre të përbashkëta ushtarake në rajonin Indo-Paqësor. Aleatët kanë qenë të qartë se çdo ofrim i ndihmës vdekjeprurëse nga Kina për Rusinë do të ishte një gabim historik, me implikime të thella”, tha ai. Në një kohë kur Pekini dhe Moska po tërhiqen kundër rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla, “është edhe më e rëndësishme që ne të vazhdojmë të qëndrojmë së bashku, si aleatë të NATO-s dhe me partnerë me të njëjtin mendim.”.
Më herët, ministrat e Jashtëm aleatë trajtuan kërcënimet dhe sfidat në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, duke përfshirë paqëndrueshmërinë, terrorizmin dhe aktivitetet në rritje të Rusisë dhe Kinës. Ata diskutuan gjithashtu rëndësinë e rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes. Në samitin e Vilnius-it, pritet që aleatët të bien dakord për një premtim ambicioz për investime të reja në mbrojtje. “Ne diskutuam gjithashtu kërcënimet dhe sfidat në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Përfshirë jostabilitetin, terrorizmin dhe aktivitetet në rritje të Rusisë dhe Kinës. Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me partnerët tanë, përfshirë Mauritaninë dhe Tunizinë, për t’i ndihmuar ata të ndërtojnë institucionet e tyre të mbrojtjes dhe të stabilizojnë vendet e tyre”, tha Sekretari i Përgjithshëm. “Për t’i mbajtur njerëzit tanë të sigurt në një botë më të rrezikshme, është thelbësore që të investojmë më shumë në mbrojtjen tonë”, prandaj ministrat trajtuan edhe progresin në shpenzimet e mbrojtjes. “Në Samitin e Vilniusit, unë pres që aleatët të bien dakord për një premtim të ri ambicioz për investimet e mbrojtjes, me 2% të PBB-së si një dysheme jo tavan.”, tha ai.
Sekretari i Përgjithshëm në deklaratën përmbyllëse përshëndeti angazhimet e reja të marra nga aleatët në Komisionin NATO-Ukrainë dhe inkurajoi mbështetjen e vazhdueshme ushtarake për Ukrainën. “Ne ramë dakord të fillojmë punën për zhvillimin e një programi strategjik shumëvjeçar të ndihmës për Ukrainën, një demonstrim i qartë se mbështetja jonë do të vazhdojë për një kohë të gjatë,” tha ai.
“Ne u takuam dje në Komisionin NATO-Ukrainë me ministrin e Jashtëm Kuleba.
Ne jemi dakord që mbështetja jonë e vazhdueshme ushtarake për Ukrainën është thelbësore. I mirëpres angazhimet e reja të marra nga aleatët dhe unë pres më shumë.”, tha Stoltenberg për mediat. “Ne adresuam gjithashtu mbështetjen tonë afatgjatë. Nuk e dimë se kur do të përfundojë kjo luftë. Por kur të ndodhë, ne duhet të sigurojmë që presidenti Putin nuk mund të vazhdojë të shkatërrojë sigurinë evropiane. Pra, ne duhet t’i mundësojmë Ukrainës të pengojë dhe të mbrohet kundër agresionit të ardhshëm. Kjo përfshin forcimin e forcave të armatosura të Ukrainës dhe marrëveshjet për sigurinë e Ukrainës. Ne ramë dakord të fillojmë punën për zhvillimin e një programi strategjik shumëvjeçar të ndihmës për Ukrainën Një demonstrim i qartë se mbështetja jonë do të vazhdojë për një kohë të gjatë. Për të rritur ndërveprimin e Ukrainës me NATO-n dhe për ta sjellë atë në standardet e NATO-s. Kjo do të ndihmojë Ukrainën në rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik. Sepse e ardhmja e Ukrainës është në familjen euroatlantike.”, ritheksoi ai. Aleatët e NATO-s janë të përkushtuar t’i japin Ukrainës atë që i duhet për të mbizotëruar si një komb sovran dhe i pavarur në Evropë dje për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Në të njëjtën kohë, NATO do të vazhdojë të mbështesë partnerët tanë që përballen me presionin nga Rusia, duke përfshirë Moldavinë, Gjeorgjinë dhe Bosnje-Hercegovinën./”Ushtria”
Fraksion.com