AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Ibrahimaj: Rritje e pagave për administratën 22-61 %, brenda 2 viteve

Qeveria miratoi sot ndryshime në ligjin “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se rritja e pagave në harkun kohor të dy viteve do të jetë 22-61 % e përshkallëzuar kjo sipas pozicioneve.

Ibrahimaj vuri në dukje se ndryshimet në ligj reflektojnë hierarkinë e re te pagave për institucionet kushtetuese dhe të pavarura, duke i hapur rrugën ristrukturimit të formulës së pagave në vend.

“Ishte e nevojshme të bëhej ndërhyrje në strukturën e pagave të administratës publike, duke nisur nga struktura e vjetërsisë, ku një specialist që ditën e parë të punës paguhej vetëm 7 mijë lekë më pak se një specialist që punonte 30 vite dhe ishte vlerë e shtuar”, shtoi Ibrahimaj.

Njëkohësisht, theksoi ministrja, ndryshimet sjellin një stimul për t’u rritur në detyrë për shkak të pagës.

“Kemi krijuar një sistem i cili jo vetëm na bën konkurrues me tregun privat dhe e kam fjalën me ato sektorë që janë ngjashëm me administratën si sektori bankar, telekomunikacionit, që kanë paga të standardizuara por edhe brenda institucioneve shtetërore duke krijuar incentivën për rritje dhe për të punuar më shumë në hierarki”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja tha se me strukturën e re të pagave, paga e Presidentit shkon në 425 mijë lekë si dhe është rishikuar hierarkia e të gjitha institucioneve të pavarura duke krijuar një barazi edhe ndërmjet tyre.

Duke folur për efektet në buxhet, Ibrahimaj nënvizoi se në vitin 2025, kur kjo të jetë reflektuar e gjitha, efekti financiar llogaritet 38 miliardë lekë.

“Këto fonde parashikohet të mbulohen brenda politikave të konsolidimit fiskal dhe të ruajtjes së parametrave të politikës fiskale. Nuk do të shkelet rregulli i pathyeshëm i reduktimit të borxhit, i cili garanton stabilitet makroekonomik dhe financiar për vendin”, u shpreh ajo.

Ministrja paralajmëroi ndërhyrje në investimet kapitale dhe politikat fiskale për rritjen e pagave, parashikuar edhe në strategjinë afatmesme të të ardhurave.

Rritja e pagave do të nisë në muajin prill për shëndetësinë, arsimin dhe institucionet e sigurisë, që përfshihen policia e shtetit, burgjeve dhe zjarrfikësit, ndërsa për pjesën tjetër të administratës qendrore dhe vendore, pas miratimit të ligjit në Parlament.

 

Fraksion.com