Bardhi: Celibashi lejoi rikandidimin e Ismailajt në kundërshtim me ligjin
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në një komunikim për mediet foli në lidhje me rikandidimin e kryetarit të bashkisë, Mallakastër, Qerim Ismailaj.
Sipas tij, vendimi i Celibashit për të miratuar rikandidimin e tij është në kundërshtim me ligjin, ndërsa akuzoi Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve se me veprimet ose mosveprimet e tij është duke ndikuar në mënyrë antiligjore në zgjedhjet e 14 majit.
Bardhi u shpreh se Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ka për detyrë të administrojë formularin e vetëdeklarimit të paraqitur nga shtetasi Qerim Ismail Ismailaj dhe të konstatojë pengesën ligjore të këtij kandidati për të marrë pjesë në zgjedhjet vendore të datës 14.05.2023.
Ai tha se përmes një dokumenti, i është kërkuar Celibashit të vendosë ndalimin e kandidimit të subjektit Qerim Ismail Ismailaj për të kandiduar si kryetar i bashkisë Mallakastër.
“Në një akt të paprecedentë janë injoruar thirrjet e ndërkombëtarëve, veçanërisht SHBA për kandidatë të pastër në zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh Bardhi.
“Situata juridike e shtetasit Qerim Ismail Ismailaj bie në kushtet e ndalimit të parashikuara në ligjin nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” dhe më konkretisht të neneve 2 dhe 4 të tij sepse: (i) me Vendimin Nr.11 i datës 02.02.2023 të GJKKO i pandehuri Qerim Ismailaj është dënuar më vendim të formës së prerë me 6 muaj burgim sipas pikës 1 të këtij vendimi për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” parashikuar nga neni 190 paragrafi i parë i Kodit Penal”. Siç shihet dhe nga vendimi i gjykatës kjo vepër kryehet vetëm me dashje dhe në këto kushte ky shtetas ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar; (ii) vendimi gjyqesor eshte dhene nga nje autoritet shqiptar; (iii) vendimi eshte i formes se prere duke nisur nga data 29 Mars 2023; (iv) periudha e rehabilitimi prej 2 vjetesh nuk eshte ezauruar dhe sipas ligjit skadon në 29 Mars 2025″, argumentohet në ankim.
Fraksion.com